Linja e autobusit Prishtinë-Aeroport drejt dështimit
Prishtinë, 20 mars - Edhe pse e paralajmëruar që në fillim të këtij viti, hapja e linjës Prishtinë-Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari, si duket do të dështojë.
Kompania e autorizuar nga Ministria e Infrastrukturës për të mbajtur linjën Berveniku, tani kërkon subvencion nga ministria, ose kontratë me aeroportin për bartjen edhe të punëtorëve.
Linja e autobusit e shumëpritur nga qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë, Prishtinë-Aeroporti ndërkombëtar Adem Jashari, ende nuk ka filluar, edhe pse nga ministria e Infrastrukturës ishte paralajmëruar se do të fillonte në fillim të këtij viti.
Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, në janar kishte deklaruar se ka mbetur vetëm edhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes palëve dhe që linja të fillonte.
Nga Aeroporti thonë se tashmë është rregulluar infrastruktura e nevojshme për mundësimin e këtyre linjave të transportit duke përfshirë çështjet e sigurisë si dhe stacionet e autobusëve para terminalit.
Zëdhënësi i Aeroportit Unidon Krasniqi për Radio Kosovën ka deklaruar se e mirëpresin këtë iniciativë nga Ministria e Infrastrukturës dhe se janë të përkushtuar që të bëjnë maksimumin për funksionalizimin e shpejtë të këtyre linjave.
Për shërbimet e ofruara nga kompania jonë, në nëntor të vitit 2016 e kemi dërguar kontratën për nënshkrim te operatori ekonomik i licencuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe jemi në pritje që së shpejti të arrijmë marrëveshje për bashkëpunim konform obligimeve mes palëve të parapara në marrëveshjen e Partneritetit Publiko Privat, ka thënë Krasniqi.
Por pronari I kompanisë Berveniku Avni Murtezi, thotë se ka pritur nga aeroporti që tia mundësojë edhe bartjen e punëtorëve të aeroportit prej nga do të krijoheshin të hyra të sigurta. Sipas Murtezit, Aeroporti ka vazhduar kontratën me kompaninë tjetër, prandaj tani nuk e sheh të leverdishme këtë linjë. Për të nisur me këtë linjë, ai tani kërkon subvencion nga qeveria.
Ne do të kemi shpenzime të papërballueshme, nëse nuk na mundësohet edhe bartja e punëtorëve të aeroportit. Prandaj, marrëveshja është e lehtë, dhënia e kontratës për bartjen e punëtorëve të aeroportit ose subvencion nga qeveria vetëm që kompania të mos punojë me humbje.
Murtezi thotë linja do të qarkullonte 18 herë në ditë, nga ora 5.00 e mëngjesit deri në orën 23.00, kurse çmimi i biletës do të ishte 1 deri 2 euro. Ai thotë se duhen 3-6 muaj që kjo linjë të formohet e të fillojë të krijojë të hyra për ti mbuluar shpenzimet. Prandaj, sipas tij nuk mund tia fillojë linjës me humbje, nëse nuk subvencionohet nga qeveria.
/rtklive/