Limak merr zyrtarisht në menaxhim Aeroportin e Prishtinës
Prishtinë, 4 prill - Konserciumi Turko-Francez, Limak dhe Aeroport de Lyon MAS, morën sot zyrtarisht në menaxhim të plotë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me çrast u shënua dhe një ceremoni rasti.
Pasagjerët e aviokompanisë Adria Airwyas, të cilët vinin nga Mynhen i Gjermanisë, u përzgjodhën nga konserciumi për ti marrë dhuratat e para dhe për të marrë pjesë në një koktej rasti, ku u pre dhe një tortë si simbolikë e kalimit të kompetencave tek menaxhuesi Limak dhe Aeroport de Lyon MAS.
Me këtë rast Drejtori i kompanisë LIMAK për Kosovë Mertol Genç tha: Ne jemi shumë të lumtur që të përmbushim të gjitha obligimet tona që kemi ndaj Republikës së Kosovës dhe të kompletojmë marrjen e kompetencave . Ne do të jemi si një ekipë duke punuar për një sukses dhe vazhdim të projektit.
Drejtori i deritanishëm i ANP, Agron Mustafa, tha se ndjehet i emocionuar por njëkohësisht dhe krenar për këtë kalim të kompetencave tek partneritetit publiko-privat, i cili u përzgjodh nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar përmes një procesi të hapur dhe tenderues.
Është projekti i parë madhor në Kosovë i partneritetit publiko-privat , i cili për më tepër do të rezultojë shumë i sukseshëm për shkak se mbrapa saj është një kompani e madhe dhe e fuqishme financiarisht si Limak dhe Airport de Lion MAS. Ndjehem veçanërisht i lumtur se ANP-ja është në gjendje shumë të mirë financiare dhe me perspektivë të sigurt në kohën kur po ndodhë transferimi i kompetencave menaxhuese në duart e një kompanie private , tha drejtori i deritanishëm i Aeroportit, Agron Mustafa.
Partneriteti publiko- privat parasheh dhënjen me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme, ku parashihet që i vetmi aeroport në vendin tonë të modernizohet dhe të zgjerohet në 25 mijë metra katrorë, nga investimet prej mbi 100 milionë euro që do të kryjë kompania Limak - Aeroport De Lyon MAS.
Një ceremoni tjetër pritet të zhvillohet në ora 14 të mesditës, ku pritet të marrin pjesë struktura të larta të qeverisë së Kosovës, përfshirë dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.