Ligji anti-duhan largon investitorët e huaj
Prishtinë, 31 tetor Ligji për reklamimin sa i përket ndalimit të ekspozimit të produkteve të duhanit në pikat e shitjes, ka hasur në kundërshtim të fortë nga bizneset. Si bizneset ashtu edhe zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, kanë dhënë mendime të ndryshme, lidhur me ligjin.
Bizneset thonë se ky ligj, po shkel të drejtat elementare të ekonomisë së lirë të tregut, ndërsa nga ministria e shëndetësisë thonë se ky ligj është punuar duke i pasur për bazë përvojat e shteteve të ndryshme.
Andi Nano menaxher për komunikim për Kosovë dhe Shqipëri, i kompanisë Japan Tabaco Internacional (JTI), ka thënë se produktet e duhanit mbartin rreziqe ndaj shëndetit dhe JTI-ja beson se një rregullim i përshtatshëm dhe përpjesëtimor i kësaj industrie është si i nevojshëm, ashtu edhe me vend.
JTI-ja ndan të njëjtin qëllim me rregulluesit: të miturit nuk duhet të konsumojnë duhan dhe nuk duhet të kenë mundësi që të marrin produkte duhani.
JTI-ja nuk është absolutisht dakord me moslejimin e ekspozimit të produkteve të duhanit në pikat e shitjes. Nuk ka asnjë lloj prove të besueshme për të justifikuar ndalimin e ekspozimit të produkteve të duhanit; dhe kjo do të kishte pasoja negative serioze dhe me shtrirje të gjerë mbi konkurrencën, konsumatorët, shitësit me pakicë dhe tregtinë e paligjshme, ka thënë ai për gazetën Epoka e re.
Por Faik Hoti, Kryetar i Grupit punues për Projektligjin për Kontrollin e Duhanit nga Ministria e Shëndetësisë, ka vlerësuar se projektligji për Kontrollin e Duhanit, gjatë hartimit të tij ka marrë në konsideratë konsulenca ndërkombëtare të ekspertëve të fushës së legjislacionit për Duhanin, që kanë më shumë se 15 vjet përvojë vetëm në këtë çështje.
Po ashtu ai ka përmendur edhe rastin e Philip Morris e cila kishte pretenduar se ndalimi shfaqjes së produkteve të duhanit në pikat e shitjes ka shkelur të drejtat e tyre në bazë të traktateve evropiane, Gjykata e EFTA-s (Asociacioni Evropian për Tregti të Lirë). Po ashtu ai ka thënë se Kosova ka marrë përvojat edhe të vendeve të tjera si Turqia, Islanda, Kanadaja, Norvegjia, Irlanda dhe shteteve të tjera, të cilat në vazhdimësi kanë shkuar duke zbatuar politika më adekuate për të zvogëluar duhanpirjen në vendet e tyre.
Kurse Skender Syla, drejtor i zyrës së organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se njëra prej mënyrave më efikase drejt parandalimit të tymosjes së duhanit është edhe ndalimi i reklamimit te produkteve të duhanit.
4000 mijë nënshkrime i thonë jo ligjit anti reklamim
Ndryshe përfaqësuesit e shoqatës së dyqanxhinjve që janë pjesë e Odës Ekonomike e Kosovës, kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi pasojat negative të ndalimit të ekspozimit të produkteve të duhanit.
Ata kanë bërë një peticion me mbi 4000 nënshkrime në kundërshtim të kësaj mase e cila i është përcjell Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre sa do që iniciativat për zvogëlimin e konsumit të duhanit në vend janë të mirëseardhura, masa e ndalimit të ekspozimit të produkteve të duhanit nuk është e dëshmuar që ka efekt pozitiv në këtë drejtim.
Ata në njoftim për media kanë vlerësuar se kjo masë është anti-kushtetuese, meqë e pamundëson konkurrencën e produkteve të duhanit, pa efekt të dëshmuar në uljen e konsumit. Vlerësohet se kjo masë mund të stimulojë tregtinë e paligjshme të duhanit, që do të dëmtonte si tatim-paguesit legjitimë ashtu edhe të hyrat e shtetit. Përfitues në këtë rast do të ishin tregtarët e paligjshëm të duhanit dhe shitësit ambulantë.
Fshehja e produkteve përveç vështirësimit të punën shitësve dhe shkakton kosto financiare te pronarët e shitoreve duke i detyruar ata të ri-modelojnë pikat e tyre të shitjes, thuhet në njoftimin për media.(Epoka e re)