LDK: Qeveria Thaçi formon Sindikatë politike në PTK
Prishtinë, 5 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlërsuar se praktika e politizimit të ndërmarrjeve publike po vazhdon edhe më tutje nga Qeveria Thaçi.
Themelimi i një sindikate të dytë në kuadër të PTK sipas LDK-së është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e qeverisë në organizimin sindikal në PTK.
"Përmes themelimit të kësaj sindikate nga disa individë, që janë të instrumentalizuar nga qeveria dhe Ministri Beqaj, po tentohet të mbytet zëri i punëtorëve në këtë ndërmarrje në kohën kur pritet të kryhet privatizimi i PTK", thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo gjë sipas kësaj partie është në kundërshtim me ligjet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së veprimit sindikal dhe mosndërhyrjes nga ana e qeverisë. Kjo praktikë e themelimit të sindikatës politike në PTK vjen pas punësimit të mbi 1,500 punëtorëve të rinj në PTK në dy vitet e fundit.
"Kujtojmë se kjo qeveri në vitin 2010, mori një vendim me të cilin i ndërpreu të gjitha investimet kapitale në këtë ndërmarrje, nën arsyetimin se PTK pritej të privatizohej. Vlerësimet e ekspertëve nxjerrin në pah se kjo ka dëmtuar në mënyrë strategjike PTK-në, pasi ka stopuar disa projekte që do të rrisnin vlerën e tregut të kësaj kompanie me rastin e privatizimit."
"Tash në vitin 2012, në mënyrë krejt të papritur dhe të çuditshme lejohen të ndodhin investimet, kur procesi i privatizimit është më afër se në vitin 2010", thuhet me tutje në reagimin e LDK-së.
Në tri vitet e fundit sipas LDK-së, PTK është shndërruar në ndërmarrje që ka punësuar militantë, që ka financuar aktivitete të ndryshme politike të PDK-së dhe njerëzve të saj, që ka harxhuar miliona euro në subvencione pa asnjë kriter.
LDK konsideron se ndërmarrjet publike duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, e jo të PDK-së dhe Qeverisë Thaçi. Ato duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarë. LDK kundërshton këtë praktikë të ndërhyrjes në ndërmarrje publike duke formuar sindikata politike dhe duke ulur pagat në mënyrë arbitrare me vendime qeveritare.
LDK kërkon që të stopohet privatizimi i kësaj ndërmarrje derisa mos të qartësohen problemet me drejtësinë që ka kjo kompani, dhe ish menaxhmenti i saj, për lidhje të kontratave që pretendohet se janë të dëmshme për kompaninë.
LDK kërkon që procesi i privatizimit të shtyhet edhe për shkak të kushteve jo të favorshme në tregjet globale. Në këto kushte dhe me këtë gjendje të paqartë në PTK, vështirë se ndonjë investitor seriozë mund të interesohet për të investuar miliona euro.