LDK kundër privatizimit të PTK-së me ligj të buxhetit
Prishtinë, 13 dhjetor - Privatizimi i PTK-së është bërë arenë përplasjesh në mes të partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Lidhja demokratike e Kosovës ka bërë me dije se gjatë seancës së ardhshme do të bojkotojë votimin e projektligjit për buxhetin, kur ai të hidhet në votim.
Kjo me arsyetimin se në të është futur një amendament që parasheh shitjen e 75 % të aksioneve të PTK.
Naser Osmani, nënkryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa ka deklaruar se qeveria e Kosovës përmes ligjit për buxhet po kontrabandon edhe shitjen e PTK.
Ai ka kërkuar mbështetjen e gjithë deputetëve që të pamundësojnë shitjen e kësaj ndërmarrjeje, sic tha ai, pa transparencë dhe në mënyrë të kundër ligjshme.
Qëndrimi i LDK-së lidhur me privatizimin e aseteve publike sipas tij ka qenë dhe mbetet i qartë.
\"Si parti e qendrës së djathtë, ne përkrahim privatizimin dhe besojmë se për aq sa është e mundshme, ndërmarrjet në sektorin privat iu shërbejnë më mirë dhe më lirë qytetarëve se sa ndërmarrjet e njëjta në sektorin publik\", thekson Osmani.
Qëndrimi i LDK-së është që ndërmarrjet mbesin në sektorin publik vetëm në rastet kur janë monopole natyrore ose kur teknikisht është e pamundur të funksioni konkurrenca e hapur e tregut.
Procesi i privatizimit të PTK-së i zhvilluar nga ana e qeverisë sipas LDK-së nuk ka bazë ligjore. Sipas ligjit për ndërmarrjet publike, Kuvendi i Kosovës me vendim të veçantë mund të lejoi privatizimin e ndonjë ndërmarrje publike.
Qeveria e Kosovës e ka vepruar njejt sikurse tani në vitin 2011 përmes të Ligjit të Buxhetit për 2011, me nenin 4 që precizonte miratimin e vendimit për privatizimin e PTK-së kështu, procesi i zhvilluar nga ana e Qeverisë së Kosovë deri më tani nuk ka bazë ligjore.
\"Kërkesa e Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit që ky të miratoi raportin e Komisionit Ndërministror për Privatizimin e PTK-së është e pakuptimtë.\"
\"Një kërkesë e tillë duhet të refuzohet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore që Kuvendi të miratoi vendime të Komisioneve Ndërministrore për Privatizimin e aseteve publike kur bëhen pa vendime paraprake të Kuvendit që lejojnë inicimin e privatizimit\", ka thënë Osmani.
Nderkaq Anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa znj. Hykmete Bajrami, ka theksur se Kuvendi i Kosovës duhet të kërkoi llogari nga Qeveria e Kosovës për veprimet e saj në mungesë të autorizimeve të Kuvendit të Kosovës përmes vendimit të veçantë për privatizimin e PTK-së.
Kuvendi sipas saj duhet po ashtu të kundershtoj amandamentin e qeverise pasi qe eshte sjelle ne Komisionin per Buxhet e financa pas skadimit legal te afatit dy javore qe e precizon rregullorja e kuvendit ne nenin 57 pika 3.
\"LDK-ja është e mendimit se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të sfidohet me vendime të tilla që nuk kanë bazë ligjore. LDK-ja vlerëson se insistimi i Qeverisë së Kosovës përmes grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, mbështetur nga partitë e tjera, paraqet dhunim të demokracisë\", ka theksuar Bajrami.