23 Dhjetor 2024

LDK: Kontrata e autostradës Morinë-Merdarë ende mbahet e fshehur

Prishtinë, 24 korrik - Qytetarët e Kosovës po paguajnë mbi 10 milion euro për kilometër të autostradës Morinë-Merdarë, por ende nuk e kanë parë kontratën e Qeverisë me kompaninë Bechtel-Enka.

Fakti që kjo kontratë mbahet e fshehur , sipas LDK-së hedh dyshime për kushte favorizuese për kompaninë në dëm të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit.

LDK-ja thekson se autostrada Morinë-Merdarë është më e shtrenjta në rajon. Kjo është e palogjikshme, pasi pjesa më e madhe e terrenit ka qenë tokë bujqësore që nuk krijon kosto të lartë të ndërtimit. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj toke është privatizuar me çmime simbolike për tu shpronësuar pastaj me çmime marramendëse.

”Verzioni i kontratës për autostradë që ka qarkulluar në opinion përmban nenin bazik të quajtur ‘dizajno dhe ndërto’. Ky nen, që nuk është kontestuar asnjëherë nga Qeveria Thaçi, nënkupton se traseja për çdo kilometër të autostradës mund të negociohet në mes të kompanisë dhe Qeverisë Thaçi. Si rrjedhim, kostoja e autostradës mund të ndryshoi sipas preferencave të zyrtarëve qeveritarë lidhur me trasenë e autostradës. Ja pse autostrada gjarpëron përmes tokave të privatizuara dhe fshatrave të zyrtarëve të PDK-së”, thekson LDK-ja.

Ende pa mbaruar ky projekt, po projektohet autostrada tjetër për Shkup. Burimet për financimin e kësaj autostrade nuk janë siguruar.

LDK-ja shpreh shqetësimin e saj se zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e parasë publike nuk janë në nivelin e detyrës së tyre për menaxhim me nikoqirllëk të parasë publike.

LDK-ja vlerëson se mungesa e transparencës në projekte madhore për vendin po e dëmton ekonominë dhe qytetarët.

LDK-ja vlerëson se projekte të tilla madhore duhet të zhvillohen me transparencë të plotë dhe të bazuara në burime të sigurta të financimit. Buxheti i Kosovës nuk ka qëndrueshmëri që të përballoi projekte të cilat nuk janë të definuara financiarisht, siç është rasti me autostradën Morinë-Merdarë.

LDK-ja vlerëson se qëndrueshmëria buxhetore e shtetit të Kosovës nuk guxon të rrezikohet në kohën kur presim të përmbyllim pavarësinë e mbikëqyrur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)