LDK: Dështimi i privatizimit të PTK-së, mungesë e sundimit të ligjit
Prishtinë, 22 mars - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se mungesa e interesimit të investitorëve për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së reflekton mungesën e sundimit të ligjit dhe rendit për të zhvilluar biznes konkurrent.
LDK vlerëson se shtyrja disa herë e afatit për privatizim të PTK-së është indikator i qartë se vlera e pritur e kësaj kompanie do të jetë e ulët. Ndryshimi i mëhershëm i përbërjes së konzorciumeve të kompanive që kanë qenë në garë tregon se procesi ka qenë i paracaktuar të dështoi.
LDK vlerëson se ky privatizim ka qenë i udhëhequr nga presionet fiskale që ka qeveria e Kosovës, e jo i bazuar në objektiva strategjike për të maksimizuar vlerën e shitur dhe përmirësuar shërbimet për qytetarë.
Për vite me radhë, aksionari i kësaj kompanie, që është Qeveria e Kosovës, sipas LDK-së e ka devalvuar vlerën e kësaj kompanie përmes punësimit enorm të militantëve të PDK-së, pezullimit të investimeve kapitale që e kanë lënë prapa PTK-në në avancimin e teknologjisë në këtë sektor si dhe lidhja e kontratave të dëmshme për PTK-në.
LDK vlerëson se privatizimi i PTK-së duhet të pezullohet. Në ndërkohë, duhet të përgatitet një strategji e re që do të definonte: (i) objektivat që do të arrihen në të ardhmen në këtë sektor pas privatizimit, (ii) një plan për ristrukturimin e PTK-së dhe rritjen e vlerës së tregut dhe (iii) kompletimin e bazës ligjore për avancimin e shërbimeve të teknologjisë telekomunikuese në Kosovë.