LB: Bisedime absurde për kodin telefonik
Prishtinë, 30 maj - Depueti i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, Agim Kuleta ka referuar në lidhje me bisedimet e fundit për kodin e telefonik. Sipas tij, procesi i kodit telefonik ka ecur shumë ngadalë dhe kjo zvarritje ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe shumë lehtë e shmangshme.
\"Në vjeshtën e vitit të kaluar, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën nr. 04-R-07, e cila parashihte zëvendësimin e tri kodeve aktuale të telefonisë me kodin e Republikës së Shqipërisë.
Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, kjo rezolutë parashihte fillimin e bisedimeve midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë. Këto bisedime ndodhën dhe në saje të disponimit pozitiv që hasëm tek Qeveria shqiptare, ato rezultuan me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në këtë fushë, i cili parashihte angazhimin e përbashkët për jetësimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës.
Për ta filluar këtë angazhim, si hap i nevojshëm, është paraparë formimi i grupeve punuese. Me gjithë shprehjen e gatishmërisë së Ministrit Beqaj, përmes një letre të dërguar në adresën time, formimi i këtyre grupeve nuk ka ndodhur ende. Megjithëse, siç edhe shihet, janë bërë disa hapa në drejtim të duhur, konsideroj se procesi ka ecur shumë ngadalë dhe kjo zvarritje ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe shumë lehtë e shmangshme.
Në ndërkohë, sipas paralajmërimeve nga ana e palëve, sot më 30 dhe nesër më 31 maj, midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të vazhdojnë bisedimet teknike për çështjen e telekomunikacionit.
Në kuadër të kësaj çështjeje do të bisedohet edhe për kodin telefonik për Kosovën. Qëndrimi i Serbisë në këto bisedime është që Serbia të kërkoj një numër kodi nga ITU, i cili do të konsiderohej kod i Serbisë, mirëpo do ti jepej në shfrytëzim të përkohshëm Kosovës deri në zgjidhjen e statusit. Në këmbim të kësaj, ata, nga institucionet e Kosovës, kërkojnë licencën për telefoni mobile dhe fikse në tërë territorin e Kosovës.
Në anën tjetër, i pyetur nga një medium lidhur me mundësinë që Kosova të merr kodin e vet telefonik, dje, shefi për komunikim me media i ITU deklaroi se ITU nuk posedon as nuk ka rezervuar kurrfarë kodi të telefonisë për Kosovën, për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e rrjedhimisht as e agjencive të saj të specializuara, siç është edhe ITU.
Ndërsa, më herët, po i njëjti zyrtar pati deklaruar: Kosova, meqë ende nuk është anëtare e ITU-së, mund të përdor cilindo kod të telefonisë. Ajo mund të zgjedhë atë të Serbisë, Shqipërisë apo ndonjë vendi tjetër. Kjo është çështje e Kosovës dhe vendeve me të cilat akordohen për këtë çështje.
Duke pasur parasysh këto fakte, bisedimet me Serbinë janë krejtësisht absurde. Për më tepër, ato janë me pasoja të shumta dhe shumë të rënda politike e juridike. Në momentin kur pranon të negociosh për një kod, e aq më tepër ta pranosh atë, për të cilin Serbia thotë se do ta merr në emër të saj dhe do tia jep Kosovës në shfrytëzim deri në zgjidhjen e statusit, automatikisht po e legjitimon tendencën e Serbisë që statusin e Kosovës ta trajtojë si të padefinuar.
Për më tepër, këtë po e bën duke shkelur të gjitha rregullat ligjore që parashohin procedurat për dhënien e licencës operatorëve të telefonisë mobile e fikse për territorin e Kosovës; po e bën këtë duke shkelur Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe Memorandumin e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo është një lojë e rrezikshme politike e Qeverisë së Kosovës e cila mund të vazhdojë ta lë Kosovën me kod të Serbisë, që do të thoshte vazhdim i varësisë nga Serbia dhe cenim i sigurisë shtetërore\" -thotë Agim Kuleta.
Prandaj, i bëjnë thirrje kësaj qeverie që të heq dorë nga këto bisedime dhe të vazhdojë më me përkushtim punën në drejtim të pajisjes me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355, gjë që jo vetëm nuk do të kishte efekte të dëmshme anësore por do të sillte dobi në çdo aspekt të përmendur më lart.