Lansohet pulla postare për të promovuar të ushqyerit me qumësht të gjirit
Prishtinë, 6 tetor - Në përkrahje të fushatës “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”, Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim dhe ka promovuar një pullë postare.
Në këtë promovim kanë marrë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, UNICEF-it, Komunës së Prishtinës si dhe të institucioneve të tjera qeveritare dhe joqeveritare.
“Kjo pullë postare u bën thirrje të gjitha nënave që t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri që të kemi fëmijë dhe popullatë sa më të shëndetshme”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha, gjatë fjalës së tij në promovim.
Ndërkaq, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, dr.Naim Bardiqi foli për rëndësinë që ka të ushqyerit me qumësht të gjirit dhe angazhimin e Ministrisë për informimin e nënave të reja me qëllim që fëmijët e tyre të ketë një fillim të shëndetshëm të jetës.
Kurse, zëvendësshefi i UNICEF-it, James Mugaju tha se mënyra më e mirë e përkrahjes së një vendi është investimi në fëmijë. “Nga ushqimi me qumësht të gjirit përfitojnë edhe fëmijët edhe nënat. Fëmijët bëhen më të mençur dhe qenie më të mira njerëzore”, ka theksuar ai.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i UNICEF-it falënderuan Postën e Kosovës dhe kryeshefin ekzekutiv për mbështetjen e kësaj fushate përmes pullës postare.
Ideatore e pullës postare dhe autore e dizajnit të zarfit të ditës së parë është zyrtarja e Filatelisë së Postës së Kosovës, Fitesa Asllani – Ibrahimi, ndërkaq autore e dizajnit të pullës është Njomza Kadriu.