Lansohet pulla postare “50 Vjetori i Baletit”
Prishtinë, 1 shtator - Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot emetoi dy pulla postare nga emisioni i radhës ‘’50 Vjetori i Baletit’’, për nder të gjysmëshekullit të themelimit dhe veprimit të Baletit të Kosovës, nga viti 1972.
Balerinët e gjeneratës së parë janë arsimuar në Shkollën e mesme të Baletit në Shkup, ndërsa pas përfundimit të suksesshëm, shumica e tyre u kthyen në Prishtinë, në kuadër të Teatrit të Kosovës, duke themeluar baletin kosovar nën drejtimin e Abdurrahman Nokshiqit.
Ansambli i Parë i Baletit të Kosovës, arriti të nxirrte në skenë shfaqje mjaft të mëdha nga kompozitorë të huaj e shqiptarë, që me paraqitjet e tyre barazoheshin me balerinët e vendeve të ndryshme, derisa regjimi ish jugosllav i dëboi me dhunë nga Teatri balerinët kosovarë në vitin 1991.
Gjenerata e Re e Baletit të Kosovës, u rithemeluar pas çlirimit të Kosovës në vitin 2001, nga balerini Ahmet Brahimaj, i cili me ndihmën e disa kolegëve të tij formoi Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të Shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë.
Filatelia e Postës së Kosovës, vlerëson dhe nderon kontributin e balerinëve kosovarë në këtë vit jubilar. Përmes imazhit të këtyre dy pullave postare, do të shpalosen dhe promovohen nëpër botë vlerat kulturore dhe artistike të Republikës së Kosovës.