Kuvendi mban seancë për heqjen e monopolit të homologimit të veturave
Prishtinë, 28 qershor - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot një seancë të jashtëzakonshme për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.
Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk po merr masa për ta ndalë këtë monopol të dëmshëm që ka filluar prej vitit 2009 dhe po tentohet që të vazhdohet edhe më tej.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ngritur shqetësimin për monopolin në homologimin e automjeteve dhe imponimin e barrierave jo-tarifore për automjetet e reja, duke i shkaktuar shpenzime të panevojshme popullit të Kosovës.
BE-ja është e shqetësuar se Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në zgjatjen e monopolit, pasi rregullimi aktual nënkupton zgjatjen automatike të operatorit ekonomik i cili ka pasur marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008.
Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregti.
Zyra e BE-se po ashtu ka shprehur shqetësime lidhur me homologimin e detyrueshëm dhe verifikimin e certifikatave të konformitetit të automjeteve të reja me origjinë nga BE-ja.
Pavarësisht se janë të pajisur me Certifikata të Konformitetit nga prodhuesit e BE-së, të gjitha automjetet e reja janë të detyruara të kalojnë nëpër procesin e homologimit dhe kontrollin e parë teknik në Kosovë.
Kjo është kundër rregullave të konkurrencës së BE-së sepse sipas legjislacionit të BE-së, automjetet e reja me homologim të vlefshëm në BE duhet të pranohen për shitje dhe regjistrim pa asnjë kontroll apo kosto shtesë.
Edhe Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka dhënë një rekomandim ku thuhet se sistemi i homologimit është në kundërshtim me konkurrencën e drejtë dhe BE-ja inkurajon fuqishëm Ministrinë e Infrastrukturës t'i kushtojë vëmendje të plotë opinionit profesional mbi homologimin e veturave të lëshuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.