Kuleta: Kodi telefonik përmes Serbisë - dëm i rëndë për Kosovën
Prishtinë, 10 shtator - Sot, deputeti i Lëvizjes për Bashkim, njëherit iniciues i rezolutës së Kuvendit të Kosovës për kodin telefonik +355, Agim Kuleta, mbajti një konferencë për media lidhur me marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin.
Ai, fillimisht, e denoncoi mungesën e transparencës lidhur me këtë marrëveshje dhe shtoi për aq sa është publikuar në media, në dokumentin e marrëveshjes, nuk thuhet asgjë se si do ti ndahet Kosovës ky kod: drejtpërsëdrejti apo përmes një shteti tjetër.
Në anën tjetër, zyrtarët serbë thonë se janë marrë vesh që këtë ta bëjë Serbia. Por, ajo që është e rëndësishme këtu ka të bëj me faktin që Kosova po demonstron një varësi të papranueshme ndaj Serbisë për zgjidhjen e problemeve të saj të brendshme.
Gjithashtu, ai u shpreh se me këtë marrëveshje po legjitimohet veprimi ilegal i operatorëve serbë në Kosovë dhe, për më tepër, po i vazhdohet leja për operim deri në marrjen e një kodi për Kosovën, gjë që është në kundërshtim me të gjitha normat juridike dhe ato mbi tregun e lirë, përkatësisht të drejtës së barabartë për konkurrencë.
Mbi të gjitha, me këtë marrëveshje është shkelur rezoluta Kuvendit të Kosovës, e vjeshtës së vitit të kaluar, për shfrytëzim të kodit +355 dhe memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë i nënshkruar midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në funksion të zbatimit të rezolutës së lartpërmendur tha ai në vazhdim.
Sipas z.Kuleta, janë tri aspekte mbi bazën e të cilave duhet të analizohet marrëveshja me Serbinë: aspekti politik, ekonomik dhe ai i sigurisë. Sa i përket aspektit politik, pra shkëputjes së Kosovës nga Serbia edhe në këtë fushë, ai tha se kjo marrëveshje nuk sjell kurrfarë ndryshimi, sepse, thirrjet midis Kosovës e Serbisë do të vazhdojnë të konsiderohen lokale dhe kufiri midis palëve konsiderohet administrativ.
Duke folur për aspektin ekonomik Kuleta u shpreh: shikuar nga dy perspektiva, nuk do të ketë kurrfarë përparësie të këtij kodi të Kosovës në raport me kodin +355.
Së pari, humbjet do të vazhdojnë deri sa të ndahet kodi për të cilin janë marrë vesh palët, e kjo do të merr shumë kohë, dhe së dyti, duke qenë dëshmitarë të një intensifikimi të jashtëzakonshëm të lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në vendet reciproke, komunikimi përmes kodit +355 do të ishte shumë më i përshtatshëm ekonomikisht për ta.
Aspekti i tretë, shtoi ai, është ai i sigurisë shtetërore, cilido shtet që do ta marrë këtë kod në emër të tij për tia dhënë pastaj Kosovës për shfrytëzim, do ta ketë qasje të plotë për të çdo bisedë që zhvillohet përmes këtij kodi.
Në fund, deputeti Kuleta, deklaroi se në këtë situatë Kosova përballet me dy paradokse: i pari, në vend që me Serbinë të bisedohet vetëm për një çështje të pazgjidhur që vërtetë i implikon të dy palët, çështja e tri komunave të banuara me serbë në veri të vendit dhe atyre të banuara me shqiptarë në Kosovën Lindore, Qeveria e Kosovës bisedon me Serbinë për çështje që janë krejtësisht të brendshme për Kosovën. Dhe në vend se me një marrëveshje ti zgjidhë të gjitha problemet, këta me dhjetëra të tilla, segmentare, vetëm e betonojnë moszgjidhjen.
Dhe, si paradoks të dytë klasifikoi situatën për të cilën u shpreh: në vend se të vazhdohet pa humbur kohë në zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ku parashihet shfrytëzimi i kodit +355 nga Kosova, Qeveria e Kosovës e përfshinë edhe këtë çështje të brendshme në negociata me Serbinë, ku dihet që bazë e marrëveshjes midis palëve është kompromisi, duke vazhduar me pyetjen se çfarë arsye kishte Kosova për një kompromis të tillë me Serbinë kur e kishte mundësinë e hapur me Republikën e Shqipërisë?