24 Dhjetor 2024

Kryeministri Thaçi inspektoi nga afër punimet në Rrugën e Kombit

Prishtinë, 19 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi inspektoi nga afër punimet që po zhvillohen në Rrugën e Kombit, me ç’rast u informua nga afër me rrjedhën e punimeve në sektorin 7 dhe 8, në Zonën Industriale, mes Fushë-Kosovës dhe Prishtinës.

Kryeministri nga udhëheqësit e konsorciumit “Bechtel-Enka” u informua për intensitetin e punimeve, përkatësisht për angazhimin maksimal që përmbyllja e projektit të bëhet në afatin e paraparë.

Gjatë vizitës, kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur me punët dhe me kualitetin me të cilin po ndërtohet autostrada. 

Ai tha se punët janë duke shkuar sipas planifikimit, me një intensitet shumë të lartë të punës ku në sektorin nëntë veç ka filluar asfaltimi. 

\"Ky është projekti i munguar për Kosovën, për rajonin, është projekt që ka fituar çmimet më të larta për infrastrukturë në rajon, çmimet më të larta ndërkombëtare.\"

\"Kjo na bën të ndihemi tepër mirë dhe shumë krenar. Ky është projekti i Kosovës së re, Kosovës evropiane, Kosovës moderne, është projekti historik  për të ardhmen evropiane, moderne dhe zhvillimore të vendit tonë\", ka theksuar Thaçi.

Ky është projekti që sipas tij po krijon edhe vende të reja të punës, që po rrit edhe mirëqenien sociale të qytetarëve.

\"Jemi në periudhën jashtëzakonisht intensive të punës për përmbylljen e këtij projekti, të rrugës së kombit, për t’i hapur mundësi menjëherë nga vjeshta e këtij viti, fillimit të ndërtimit të projektit të ri, autostradës së re që do të lidhë Prishtinën  me Kaçanikun, Hanin e Elezit deri në Shkup. Projekt ky, gjithashtu, jashtëzakonisht  i rëndësishëm\", theksoi me tutje Kryeministri.

Kosova sipas tij gradualisht, po shndërrohet në një udhëkryq për rajonin, me infrastrukturën më moderne në Ballkan.

\"Prandaj, do të vazhdojmë me këto projekte, do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht  që të ndryshojmë për të mirë vendin tonë dhe që me të vërtetë çdo qytetar i Republikë së Kosovës të ndihet mirë dhe krenar në Kosovën e re, në Kosovën e zhvilluar, në Kosovën evropiane\", theksoi Thaçi.
 
Gjatë vizitës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)