Kryeministri Thaçi: Autostrada është rruga e zhvillimit të Kosovës
Prishtinë, 7 qershor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini dhe me ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë vizituar punimet në trasenë e autostradës Vermicë Merdar.
Kryeministri shoqërohej edhe nga ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Fillimisht kryeministri Thaçi, nga drejtuesit e punimeve është informuar për rrjedhën e punës. Ata kanë thënë se punët janë duke vazhduar sipas planit dhe deri tani nuk kanë hasur në asnjë pengesë për vazhdimin e punimeve.
Kryeministri ka shprehur kënaqësinë e tij për vizitën e përbashkët me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me ambasadoret e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Prishtinë.
Kryeministri ka vlerësuar projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare si një kryevepër e parë e infrastrukturës në Kosovë, për pamjen e re të Kosovës, të Kosovës evropiane.
Kjo është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenien sociale të qytetarëve. Jam jashtëzakonisht i inkurajuar me faktin se rreth dy mijë qytetarë të Kosovës kanë gjetur punë në realizimin e këtij projekti dhe rreth gjashtëdhjetë kompani kosovare kanë kontraktuar punë në këtë projekt, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri dhe përfaqësuesit e kompanisë Bechtel & Enka janë shprehur se gjithçka deri tani është duke shkuar sipas planifikimit dhe rreth dyzetë kilometrat e parë të autostradës do të përfundohen brenda këtij viti.
Natyrisht që kjo është mrekullia e parë e infrastrukturës në Kosovë por ne do të vazhdojmë edhe me realizimin e projektit të ndërtimit të autostradës nga Prishtina në drejtim të Shkupit ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka vlerësuar se ky është një projekt që ndërlidh popujt dhe vendeve e rajonit.
Edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Fernando Gjentilini se është i impresionuar me punën që është duke u bërë në realizimin e këtij projekti.