Kroatët privatizojnë aviokompaninë Croatia Airlines
Zagreb, 20 tetor - Kroacia po kërkon të shesë një pjesë të aksioneve të Croatia Airlines, në një kohë kur në të gjithë rajonin kompanitë ajrore janë me probleme.
Qeveria kroate ka ftuar investitorët potencialë, të cilët janë të interesuar të bëhen partner për udhëheqjen e kompanisë ajrore të vendit Croatia Airlines.
Bëhet fjalë për 49 për qind të aksioneve në vlerë prej 129 milionë eurosh. Ministri kroat i Transportit, Sinisha Hajhasg Donciq ka thënë se në kuadër të ristrukturimit të aviokompanisë kroate do tia lëshojnë partnerit 49 për qind.
Privatizimi sipas autoriteteve do të zgjasë prej tetë deri nëntë muaj. Pas këtij procesi shteti korat do të kontrollojë 20.25 për qind të aksioneve të Croatia Airlines. Parat e shitjes së aksioneve do të investohen në zhvillimin e kompanisë.
Croatia Airlines ka transportuar vitin e kaluar 1.9 milionë udhëtarë, që është 4 për qind më shumë se vitin 2011, por ka regjistruar humbje prej 49 milionë eurosh.
Numri i udhëtarëve në gjysmën e parë të vitit 2013 është zvogëluar për 5 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas medieve kroate nëse nuk do të gjendet partner strategjik, Croatia Airlines do të duhet të financojë rreth 50% të kostove të planit të ristrukturimit ku përfshihet edhe reduktimi i 200 punëtorëve nga 1.100 që janë aktualisht.