23 Dhjetor 2024

KQP autorizon hapjen e tenderit për shitjen aksioneve të PTK

Prishtinë, 11 shtator - Në takimin e sotëm KQP ka miratuar dokumentet e pakos tenderuese për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Pjesë të dokumenteve tenderuese të miratuara sot nga KQP janë udhëzimet për tenderuesit, drafti i marrëveshjes së shit-blerjes dhe drafti i marrëveshjes së aksionarëve të ardhshëm në PTK.

Në bazë të këtyre dokumenteve të miratuara nga KQP, kompanitë e parakualifikuara ftohen të bëjnë shqyrtimet e tyre analitike dhe të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Kompanitë e parakualifikuara pjesëmarrëse në proces, duhet të plotësojnë kushtet formale ligjore, financiare dhe teknike të përcaktuara në udhëzimet për tenderues, ndërsa kriteri i vetëm në bazë të së cilit do të përzgjidhet blerësi potencial do të jetë çmimi më i lartë i ofruar për aksionet që do të shiten.

KQP ka konstatuar se nga PTK është ndarë njësia e Postës së Kosovës, e cila është themeluar si ndërmarrje e re publike edhe është duke funksionuar si njësi e pavarur. Posta e Kosovës ka trashëguar të gjitha pasuritë e paluajtshme të PTK-së.

Në bazë të pakos tenderuese, do të shiten 75 për qind e aksioneve të PTK-së, përkatësisht të dy njësive të biznesit Telekomi (telefonia fikse) dhe Vala (telefonia mobile).

Ndërsa, 25 për qind të aksioneve të PTK-së në pronësi të shtetit do të mbesin më së paku në afatin 5 – vjeçar  pas përmbylljes se transaksionit dhe do të monitorohen nga përfaqësuesit e shtetit në Bordin e PTK-së dhe të gjitha detajet për to do të rregullohen me marrëveshjen e shit-blerjes.

Në bazë të kësaj pakoje tenderuese, të gjithë punëtorëve aktual të PTK-së iu është garantuar vendi i punës për të paktën 3 vitet e ardhshme, ndërsa blerësi potencial obligohet që kompaninë ta zhvilloj dhe të përmirësoj edhe më tutje shërbimet e ofruara për qytetarë.

KQP është e bindur se privatizimi i PTK-së do të sjellë efekte pozitive në ekonominë e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në tregun e telekomunikimeve në Kosovë.

KQP inkurajon investitorët e interesuar që të vazhdojnë me këtë proces dhe garanton se në këtë proces do të vazhdojë të ndjekë standardet më të larta ndërkombëtare për transparencë dhe trajtim të barabartë të tyre dhe se Republika e Kosovës mirëpret të gjitha investimet e huaja e vendore.  Ligjet e Kosovës mbrojnë plotësisht të gjitha investimet në vend.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)