KOSTT nënshkruan marrëveshje për shfrytëzimin e rrjetës së fibrave optik
Prishtinë, 27 qershor - Sistemit Transmetues të energjisë elektrike, KOSTT ka nënshkruar marrëveshjen e parë me kompani vendore për shfrytëzimin e rrjetës së fibrave optik (dark fibre).
Zëdhënësja Zana Bajrami-Rama shprehet se që nga viti 2004, paralel me zhvillimin e Sistemit Transmetues të energjisë elektrike, KOSTT po ashtu ka ndërtuar dhe zhvilluar rrjetin e ri telekomunikues të bazuar në fibra optik OPGW (Optical Power Ground Wire), me gjatësi prej 1109.38 km të vendosur nëpër largpërçues të tensionit të lartë, brenda gypave në bërthamën e të cilëve janë të vendosur nga 24 apo 48 fije optike.
\"Në përputhje me këtë, KOSTT sh.a nënshkroi marrëveshjen e parë për ofrimin e shfrytëzimit me qira të rrjetës së fibrave optik (dark fibër/të pandriçuar), me tre operatorë të licencuar\", ka thwn Bajrami-Rama.
Përmes kësaj marrëveshje, e cila është lidhur në përputhje me nenin 5.2 dhe 5.3 të Rregullores për shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës alternative (pasive/fibër optike) dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, KOSTT sh.a ofron shërbimin e linjave me qira (fibra optik të pandriçuar), në kohëzgjatje prej 3 vitesh për tri kompani vendore të licencuara për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese: Vistash.p.k. Suharekë, Fiberlink sh.p.k. Gjakovë dhe Ace waves Prizren.
Shërbimi i Fibrave të pandriçuar u mundëson operatorëve të lidhin teknologjitë e tyre përkatëse të transmetimit optik me fibrat e pashfrytëzuara të rrjetit të KOSTT-it, për të ofruar shërbimet e veta të transmetimit në relacionin Gjakovë Prizren - Suharekë.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT,.Mustafë Hasani ndër të tjera ka theksuar se kjo është marrëveshja e parë përmes së cilës KOSTT ofron shërbim të linjave me qira të fibrave optik, iniciativë e cila është mbështetur dhe inkurajuar nga Banka Botërore, gjë për të cilën i falënderoj. Besoj që kjo do të jetë një mundësi më shumë për zhvillim ekonomik dhe qasjen e qytetarëve në shërbime telekomunikuese të kualitetit më të lartë .
Në anën tjetër, përfaqësuesi i operatorëve nënshkrues, Fatos Stavileci nga Fiberlink-Gjakovë, falënderoi KOSTT-in për ofrimin e këtij shërbimi dhe theksoi që kjo do tiu mundësojë dyfishimin e kapaciteteve të shërbimeve që ata ofrojnë.
Rrjeti i fibrave optik që posedon KOSTT përmbush kërkesat funksionale dhe operacionale për komunikime me zë dhe me të dhëna, për të mundësuar realizimin e bisedave telefonike dhe funksionimin e nënsistemeve si: SCADA/EMS, Matjet e Tensionit të Lartë, Mbrojtje nga distanca, rrjeti LAN/WAN dhe për komunikime inter OST (Operator i Sistemit të Transmisionit). Ky rrjet mjaft i avancuar është i aftë të ofroj shërbime komunikuese dhe të informacionit në qytetet dhe vendbanimet kryesore në gjithë territorin e Kosovës.
Në përputhje me Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe Rregullores për Autorizimet e Përgjithëshme, KOSTT është i regjistuar në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në Regjistrin e Ndërmarrjeve për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike sipas Rexhimit të Autorizimit të Përgjithshëm.