Kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve mbi 9 milionë euro
Prishtinë, 14 shkurt - Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, mbajti një konferencë me gazetarë, me çrast i informoi ata lidhur me gjendjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale të Kosovës, që janë kompetencë e ministrisë së ai e drejton, pas reshjeve të borës së këtyre ditëve, që shkaktuan probleme të shumta.
Ministri Mujota tha që nga fillimi i të reshurave të borës e deri sot rrugët magjistrale dhe rajonale në Republikën e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë të kalueshme.
Bazuar në sasinë e të reshurave dhe kushteve të përgjithshme, Republika e Kosovës është përballur me sukses, madje me sukses më të madh se të gjitha vendet e rajonit, ka theksuar ai.
Rrugët magjistrale dhe rajonale në gjatësi rreth 2 mijë kilometra, që janë përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, sipas raporteve zyrtare edhe tash janë të kalueshme.
Po kështu, gjatë tërë kohës së kushteve të vështirësive që kanë mbretëruar gjatë kësaj kohe, mund të themi se autostrada Vërmicë-Suharekë është mirëmbajtur me rregull.
Vlenë të përmendim se shumica e rrugëve drejt vendkalimeve kufitare janë të kalueshme, me përjashtim të pikës kufitare Pejë-Kullë-Rozhajë, meqë pjesa nga Mali i Zi është e pakalueshme, ndërsa nga pjesa e Republikës së Kosovës rruga është e kalueshme, ka pohuar Mujota.
Vështirësi ka edhe në zonat kodrinore-malore, si në aksin rrugor Pejë-Kuqishtë, Qafë Morinë, Qafë Prush, aksi rrugor Prizren-Prevallë, pjesa e rrugës drejt Qendrës së skijimit në Brezovicë, si dhe segmenti që lidh Shalën e Bajgorës me Podujevën, i cili sipas tij prestet të lirohet gjatë orëve të ditës së sotme.
Rrugë e kalueshme , por me vështirësi, është edhe rruga në drejtim të Leskovcit, për çka nevojiten pajisje dimërore dhe kujdes nga shoferët.
Mujoata ka theksuar po ashtu se gjatë kësaj periudhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës e kanë ngritur gatishmërinë dhe kanë koordinuar të gjitha veprimet në mes të dikastereve përkatëse në nivel vendi me qëllim të përballimit sa më të mirë të gjendjes së krijuar.
Gjatë kësaj kohë ne në vazhdimësi kemi qenë të koordinuar në përcjelljen e situatës nga Kryeministri, ministrat përkatës, siç janë Ministri i Punëve të Brendshme, Ministri i Forcës së Sigurisë, po ashtu me Policinë e Kosovës dhe me të gjitha autoritetet komunale.
Deri tash edhe komunikacioni hekurudhor është zhvilluar pa pengesa, ndërsa ka pasur disa pezullime të linjave ajrore në aeroportin Adem Jashari në Prishtinë, ku tash gjendja është normalizuar.
Gjatë kësaj kohë Ministria nëpërmjet kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve ka ndihmuar disa lokalitete në komuna të caktuara të vendit, me kërkesë të autoriteteve lokale, siç ishte rasti me Novobërdën, Dragashin, Gjakovën në Dushkajë, ndërsa me kërkesë të autoriteteve lokale të Bajram Currit kemi ndihmuar hapjen e aksit rrugor Qafë Morinë-Tropojë në Shqipëri.
Për hirë të informimit të opinionit duhet të themi se kostoja e mirëmbajtjes verorë dhe dimërore në Republikën e Kosovës, për rrugët magjistrale dhe rajonale është diçka më tepër se 9 milionë euro dhe kjo tregon se mirëmbajtja e rrugëve, edhe dimërore edhe verorë, kërkoni një buxhet të shtuar dhe besoj që në të ardhmen Qeveria e Republikës së Kosovës dhe buxheti i Republikës së Kosovës do të jenë edhe më shumë të orientuara në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve, ka thënë Mujota.