25 Dhjetor 2024

Kosova pjesë e garës globale të ndërmarrësisë

Prishtinë, 28 janar - Kanë mbetur vetëm edhe 2 ditë që inovatorë, ndërmarrës, profesionistë dhe kompani të teknologjisë nga tregu i Kosovës të aplikojnë në garën globale “Hello Tomorrow Challenge”, pjesë e së cilës, për herë të parë, është edhe Republika e Kosovës.

Kjo garë në Kosovë u prezantua përmes aktivitetit \"TOMORROW.Prishtina” të organizuar nga ICK-ja. 


Hello TOMORROW Challenge është një iniciativë ambicioze jo-fitimprurëse për të lidhur dhe për të fuqizuar të rinjtë ndryshimbërës në Evropë: ata që guxojnë që ti zgjidhin problemet e sotme me anë të shkencës dhe teknologjisë.

Gjatë këtij aktiviteti të organizuar nga ICK-ja u tha se në këtë garë globale mund të aplikojnë  profesionistë dhe kompani kosovare me më pak se dy vjet ekzistencë në treg, të cilët do të konkurrojnë me njerëz dhe kompani nga 30 vende të botës. Pjesëmarrësit do të konkurrojnë në pesë drejtime të ndryshme të teknologjisë: Bio & Med Tech, Energji, Big Data, Hardware & Robotics, IT & Com. Shpërblimet përfshijnë më shumë se 400,000 € në çmime dhe hiç më pak sesa 100, 000 € para të gatshme për fituesin kryesor si dhe nga 15,000 euro për 4 gjysmëfinalistë.

“Hello Tomorrow Challenge është vetëm një mundësi për këta të rinj dhe të reja që kanë ide inovative për të konkurruar në Evropë, kjo është një prej garave më prestigjioze në Evopë që i takojnë fushës së inovacionit me shpërblime të shumta, me sponsorë shumë të njohur dhe prestigjiozë”, tha Uranik Begu drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK). Begu poashtu shtoi se  Innovation Centre Kosovo e ka hapur edhe thirrjen e shtatë për aplikim me ide biznesi, për një vend në inkubatorin e ICK-së.

  “Ju ftoj që krahas kësaj të shqyrtoni edhe atë mundësi që idetë që i keni ti diskutojmë bashkë dhe të shohim a kanë mundësi për tu zhvilluar në një biznes të qëndrueshëm”, tha ai.

Ndërkaq Glen Noble nga TekFuze tha se “për të nisur një biznes apo për të prezantuar një produkt të ri  është tejet e rëndësishme që të keni idenë e duhur, por cila është idea e duhur, idea e duhur e adreson një problem të cilin njerëzit apo kompanitë e dijnë se e kanë”, tha Noble duke shtuar se nëse një ide e mirë nuk e zgjidh një problem atëherë ajo nuk ka vlerë.

Poashtu sipas tij, idea duhet të zgjidhë një problem të idenfikuar nga njerëzit dhe kompanitë. “Është e vështirë që klientit t’i shitet një zgjidhje pa e ditur ai se e ka atë problem”, tha Noble i cili në në “TOMORROW.Prishtina” prezantoi mbi temën inspiruese

“Nga idea në shpikje”. Kurse Prof.Asoc.Dr Blerim Rexha, ligjërues në Universitetin e Prishtinës gjatë prezantimit të tij tha se “padyshim që inovacioni duhet të ketë një ‘cost-benefit’ dhe duhet të krijojë kursim të kostos për atë që e merr, inovacioni duhet të sjellë një metodë rë, qasje të re në proces në punën  e përditshme”. Rexha duke cituar Platonin -  filozofin antik grek, tha se nevoja është ajo që sjellë inovacionin dhe risitë.

Ai iu tha të pranishmëve që inovacionin e krijuar duhet mbrojtur me patentim përmes së cilit mbrohet ideja apo qasja e re. Rexha në këtë ngjarje prezantoi mbi temën “Nga shpikja në produkt”.

Kurse Driton Hapçiu partner menaxhues në kompaninë “Cacttus” të pranishmëve iu foli për rëndësinë që kanë pajisjet e ndryshme elektronike mbi jetën e njerëzve duke ua lehtësuar punët e përditshme.

“Ideja e dikujt e reflektuar në një film është realizuar shumë ma shpejt sesa që na kemi mundur të projektojmë dhe ajo çka foli Gleni dhe profesori realisht është që nuk duhet të kufizoheni në asnjë ide që ju bie në mendje”, tha ai. 

Hapçiu tha se teknologjia është krjimi, modifikim i diçkafit jo patjetër zbulimi i diçkafit.

“Nuk kanë mbetur shumë sende me u kriju por modifikimi është ajo që sot ka shumë peshë dhe do të ketë peshë edhe më tutje”, tha Hapçiu.

Duke folur për modifikimin e produkteve Hapçiu  shtoi se se Google ka dalur në treg kur të pranishme kanë qenë search engines konkurruese si Yahoo dhe Altavista. “Por Google ka bërë diçka shumë ma shpejtë, shumë ma mirë, shumë të thjeshtë duke i zgjidhur problemet e kërkimit në një mënyrë që na nuk e kemi paramenduar kurrë”, tha ai. Driton Hapçiu partner menaxhues në Cacttus gjatë aktivitetit e prezantoi temën “Pse investojmë në ndërmarrësitë e bazuara në teknologji”.

Në Hello TOMORROW Challenge mbi 45 ambasadorë të profesioneve të ndryshme nga 30 vende të botës, shkencëtarë, inxhinierë, ndërmarrës, shpikës, dizajnerë, zhvillues do të mblidhen në janar të vitit 2014 për tu takuar me ekipet dhe projektet më të mira. Kurse në shkurt dhe mars, ekspertë nga të gjitha fushat do të mentorojnë 25 ekipe të zgjedhura dhe do i pajisin ata me mjete dhe strategji për ndërtimin e ndërmarrjeve me ndikim.

Një panel i përbërë nga 40 ndërmarrës, investitorë, industrialistë dhe studiues do të vlerësojnë pjesëmarrësit, kurse sfida e vitit 2014 përfundon më 18 prill 2014.

Athene Prosjektledelse, Norvegji dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues  ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)