Kosova me kod telefonik ndërkombëtar, kah mesi i vitit
Prishinë, 3 mars- Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri thotë se Kosova do ta ketë kodin e saj telefonik ka mesi i vitit. Ai do të jetë 383 ose 384. Por, sipas saj, për kodin pritet të aplikojë Austria, pasi Kosova nuk ka të drejtë, sepse nuk është anëtare e OKB-së.
Kryenegociatorja në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se Republika e Kosovës pritet të pajiset me kodin e saj telefonik, kah mesi i vitit 2014. Në një intervistë për RTK-në, Tahiri, ka deklaruar se pasi që Kosova nuk është anëtare e OKB-së nuk ka të drejtë të aplikojë për një gjë të tillë, mirëpo këtë mund ta bëjë shteti, i Austrisë, e cila ka shprehur gatishmërinë.
Mund të jetë deri kah gjysma e këtij viti, koha kur Kosova do të pajiset me kodin ndërkombëtar. Gjasat më të mëdha janë që Kosova të ketë ose kodin telefonik 383 ose 384, sepse nëse thirremi në kohën kur në ish Jugosllavi kanë qenë tetë njësi federale , atë kohë janë dhënë tetë kode për ish Jugosllavinë, njëra prej tyre i ka takuar Kosovës, theksoi ajo. Sipas saj, kodet e lira nga ajo kohë janë, 383 dhe 384.