Kosova ka 289 mijë mjete motorike dhe jo motorike të regjistruara

Prishtinë, 6 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit, TM4 2014, me të dhëna mbi numrin e automjeteve të regjistruara gjatë vitit 2014, si dhe të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor dhe Postë Telekomunikimin për tremujorin e katërt, TM4 2014.
Përmes këtij publikimi janë prezantuar të dhënat mbi numrin e automjeteve të regjistruara, sipas kategorive, për vitet 2011 2014. Në përgjithësi, vërehet një tendencë e rritjes së vazhdueshme, nga viti në vit, e numrit të automjeteve të regjistruara.
Kështu, në vitin 2014 në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 289 mijë mjete motorike dhe jomotorike, ose 6.15 % më shumë se në vitin 2013. Po ashtu, edhe sipas kategorizimeve të automjeteve, çdo vit shënohet një rritje e konsiderushme e regjistrimit të tyre.
Sipas të dhënave të prezantuara në vitin 2013 dhe 2014, në territorin e Kosovës kemi 2.003,1 km rrugë. Prej tyre, 4% janë autoudhë, 31% rrugë nacionale, ndërsa 65% janë rrugë rajonale.
Në vitin 2014, nga gjithsej 2.003,1 km rrugë, 1.885,5 km ose 94% janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 120.1 km ose 6% e rrugëve janë të paasfaltuara.
Në territorin e Kosovës kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 privat, derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.
Numri i pasagjerëve që e kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi, në TM4 2014, është 82 mijë, e që krahasuar me raportin për TM4 2013 vërehet një rënie prej 11%.
Transporti i mallrave me tren në TM4 2014 është 145 mijë tonë ose krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka shënuar një rrënie prej 37.4 %.
Numri i fluturimeve në TM4 2014 është 1,390 ose 4.27 % më pak se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, TM4 2013.
Numri i udhëtarëve që e kanë shfrytëzuar aeroplanin, si mjet transporti, në këtë tremujor (TM4 2014) është rreth 318 mijë, ku krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2013) kemi një rritje prej 1.68%.