Kosova ka 2.005 km rrugë
Prishtinë, 5 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit TM4 2013 ku sipas të dhënave të prezantuara nga vitin 2013, në territorin e Kosovës kemi 2.005,5 km rrugë. Prej tyre, 4% janë rrugë ndërkombëtare, 31% rrugë magjistrale dhe 65% janë rrugë rajonale.
Në vitin 2013, nga gjithsejtë 2.005,5 km rrugë, 1.885,5 km ose 94% e tyre janë rrugë të asfaltuara , ndërsa 120.1 km ose 6 % e rrugëve janë të pa asfaltuara.
Në territorin e Kosovës, kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 km privat. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë 8 lokomotiva disel , të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.
Në TM4 2013, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi, është rreth 92 mije. Në raport me TM4 2012, numri i udhëtare është rritur për 5.29%.
Transporti i mallrave me tren në TM4 2013 është 231 mijë tonë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur ulje për 14.36%.
Numri i fluturimeve në TM4 2013 është 1.452, apo 13.47% më pak se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 4 2012).
Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 313 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 4- 2012) kemi ulje për 7.60%.