Kosova feston Ditën Ndërkombëtare të Postave

Prishtinë, 9 tetor - Edhe Kosova i është bashkuar vendeve të botës për ta festuar 9 Tetorin - Ditën Ndërkombëtare të Postave.
Drejtori i Postës së Kosovës, Sjedi Hoxha, me rastin e shënimit të kësaj ditë, në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar se posta i ka shpërblyer tetë postierët më të dalluar.
Sot pata kënaqësinë që nëpërmjet një organizimi ta shënojmë këtë dite, duke i shpërblyer tetë postierë të dalluar nga të gjitha regjionet e Postës së Kosovës, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë treguar rezultate të mira në punë. Më gëzon fakti që prej vitit 2012 e deri më tani Posta e Kosovës ka shënuar rritje të dukshme të pjesëmarrjes në tregun e shërbimeve postare.
Në bazë të shënimeve zyrtare të publikuara nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, PK Sh. A. është lider në tregun postar: në vitin 2012 me 74.30 për qind të tregut, në vitin 2013 ka pasur 78.16 për qind të tregut, në vitin 2014 84.6 për qind të tregut postar.
Pa angazhimin e te gjithë punonjësve të terrenit dhe stafit menaxhues të Postës së Kosovës ka qenë e pamundur që të arrihen këto rezultate nga viti në vit, të cilat flasin më së miri për imazhin dhe besimin që ka fituar Posta e Kosovës që institucionet, bizneset dhe qytetarët ti shfrytëzojnë shërbimet tona, ka thënë Hoxha.