Kosova e Shqipëria thellojnë bashkëpunimin në fushën e TIK-ut
Prishtinë, 19 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar sot në Prishtinë një Marrëveshje Bashkëpunimi për bashkëpunim në fushën e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit (TIK).
Në emër të qeverive respektive, marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Besim Beqaj dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit i Republikës së Shqipërisë, Genc Pollo.
Objektivi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit është vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese ndërmjet palëve me qëllim koordinimin e përpjekjeve në rrafshin shtetëror dhe ndërkombëtar, si dhe burimeve teknike, financiare dhe njerëzore me objektiv kryesor zhvillimin e bashkëpunimit teknologjik, gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e vështirësive në fushën e TIK dhe aktiviteteve inovative.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministri Besim Beqaj ka theksuar se bashkë me ministrin Pollo me aktivitete të dyanshme qeveritare është bërë mundur që të vijnë para një akti jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Kjo është një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila do të hap dyert e bashkëpunimit ndërinstitucional, hap dyert e bashkëpunimit ndërshtetëror, hap dyert e bashkëpunimit e prezencës sonë ndërkombëtare dhe normalisht kjo do të mundëson që ne të koordinojmë grupet teknike të përbashkëta, të cilat do të ulen për të diskutuar të gjitha sferat e bashkëpunimit.\"
\"Është një marrëveshje e cila është një hap i parë edhe drejt mundësisë që ka të bëjë me angazhimin tonë të përbashkët drejt një roamingu i cili do të mundësonte që qytetarët tonë të kenë përfitime nga tarifat më të ulëta, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së tha se ky është një angazhim i përbashkët edhe në nivelin ndërkombëtar, në harmonizim në shpërndarjen e frekuencave të radiove në brezat kufitare Kosovë Shqipëri, angazhimin e përbashkët në sigurimin e kodit shtetëror të Republikës së Kosovës për të telefoninë në kuadër të angazhimeve që Shqipëria ka duke qenë anëtare e ITU-së.
Sa i përket kodit kemi një angazhim të fokusuar që të bëjmë punën tonë të përbashkët e cila na mundëson që Kosova të bëhet e faktorizuar me këtë mekanizëm dhe ajo çka është jashtëzakonisht e rëndësishme është shkëmbimi përvojave, bashkëpunimi në fushën e legjislacionit në teknologjinë informative dhe të komunikimit, tha Beqaj për të shtuar se kjo teknologji nuk është më vetëm teknologji, nuk janë vetëm pajisje fizike por është një motor i zhvillimit institucional dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministri Beqaj ritheksoi se Kosova është e gatshme të marrë përkohësisht kodin telefonik të Shqipërisë dhe kjo kërkon pajtimin e ITU-së, mirëpo dy vendet të harmonizuara do të punojnë që Kosova të merr kodin e vet shtetëror.
Ndërkaq, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit të Shqipërisë, Genc Pollo vlerësoi se kjo Marrëveshje e Bashkëpunimi është e rëndësishme sepse është një ndër marrëveshjet të cilat do të forcojë dhe intensifikojë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sipas tij, marrëveshja është e rëndësishme për faktin sepse ka të bëjë me fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit e cila për vende si Kosova e Shqipëria është kyçe për zhvillimin e shpejtë, për kapërcimin e pengesave dhe sidomos rifitimin e kohës në drejtim të zhvillimit institucional, social dhe ekonomik.
Ne parashikojmë të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme, në fusha që janë të prekshme për përdoruesit e internetit, përdoruesit e telefonisë, sidomos asaj celulare dhe duke bashkëpunuar në një marrëveshje ndërshtetërore për roaming, ne do i mundësojmë që qytetarët e Kosovës apo Shqipërisë të cilët udhëtojnë në Bashkimin Evropian të kenë shpenzime më të ulëta derisa përdorin atje celularët e tyre, tha ai.
Pollo tha se do të shikohet edhe mundësia për të zgjidhur probleme të ndryshme që Kosova i has në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, që një prej tyre është edhe prefiksi kombëtar i Kosovës, me çrast Shqipëria do të luaj gjithë rolin e saj duke qenë anëtare e plotë në Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, në ITU dhe në organizatat e tjera në mënyrë që të lehtësojë dhe mundësojë zgjidhjen e këtij problemi për Kosovën, në interesin e saj.