Kosova dhe Franca nënshkruan marrëveshje në Aeronautik
Prishtinë, 12 qershor - Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), i cili funksionon në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën për Hetime dhe Analiza të Sigurisë së Aviacionit Civil të Francës.
Qëllimi i marrëveshjes është ofrimi i ndihmës nga ana e autoritetit francez, për KHAIA-n, në raste të hetimeve të sigurisë së aviacionit civil dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy autoriteteve me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të nivelit sigurisë aviacionit.
Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar në Paris nga kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Republikës së Kosovës, Kreshnik Gashi dhe Jean-Palu Troadec .
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike i Republikës së Kosovës ka nënshkruar kohë më parë edhe dy memorandume mirëkuptimi me Autoritetin e Mbretërisë së Bashkuar dhe autoritetin Gjerman për hetimin e aksidentve dhe incidenteve ajrore.
Marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara nga KHAIA me inistitucionet përkatëse të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë shënojnë hapa të rëndësishëm përpara drejt koordinimit të përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë së aviacionit dhe parandalimit e hetimit adekuat të ndodhive në aviacionin civil.
Këto marrëveshje kanë një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe shënojnë një progres të mëtutjeshëm drejt realizimit të qëllimit për inkuadrim të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare të aviacionit civil.