KOSID kundërshtoi licencën e operatorit të telefonisë së Serbisë
Prishtinë, 6 qershor - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) shpreh shqetësim serioz rreth mënyrës së zbatimit të politikave ekonomike prej Qeverisë së Kosovës, të cilat rrezikojnë zhvillimin e qëndrueshëm në vend.
KOSID kundërshtoi dhënien e licencës një operatori të telefonisë mobile të Serbisë dhe bartjen e 17.9 milion eurove prej KEK-ut, tek kompania turke Çalik-Limak.
Në një konferencë për media, ata kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të jetë transparente lidhur me marrëveshjet që i arrinë me Serbinë dhe të ketë qasje në dokumente zyrtare.
Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm vlerëson se dhënia e licencës një operatori të telefonisë mobile të Serbisë dhe bartja e 17.9 milion eurove nga buxheti i Kosovës, kompanisë turke, është në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kosovës.
Koordinator i KOSID-it, Visar Azemi vlerëson se kontratë e tilla janë të korruptuara. Ndërsa, Agron Demi nga Instituti GAP tha se format e tilla të privatizimit të energjisë në Kosovës nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend.
Ndërkohë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të zbardhë marrëveshjet e arritura me Serbinë.
KOSID mbështet liberalizimin e tregut në vend, por është i vendosur, të informojë qytetarët, opinionin publik për çdo lloj marrëveshje të natyrës politike, apo ekonomike të cilat tejkalojnë, shkelin ligjet e funksionimit të tregut në Kosovë, anashkalojnë Kuvendin e Kosovës, Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) duke dëmtuar kësisoj zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë.
KOSID shpreh frikën se, nëse vazhdohet në këtë formë të negocimit për rregullimin e brendshëm ekonomik të Kosovës, Qeveria e Kosovës, ashtu si në rastin e telekomit, do të lejoj që në territorin e Kosovës të operojnë edhe kompani serbe të energjetikës, pa respektuar rregullat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Borxhi publik i krijuar ndër vite nga pamundësia e arkëtim të të hyrave nga faturat e energjisë dhe asetet e KEK në pjesën veriore, nuk duhet të jetë pjesë e kompromiseve politike.