Korrupsion, nepotizëm e keqpërdorime në trafikun urban

Prishtinë, 29 mars - Korrupsion, nepotizëm e keqpërdorime thuhet të ketë në ndërmarrjen Trafikun Urban të Prishtinës.
Në një letër anonime që ka mbërritur në adresë të medieve në emër të punëtorëve të kësaj ndërmarrje, thuhet se kjo gjendje po vazhdon tash e disa kohë. Me këtë letër kërkohet nga kryetari Isa Mustafa që të ndërmarrë hapa për përmirësimin e gjendjes.
Por, këto akuza i hedh poshtë kryeshefi ekzekutiv i Trafikut Urban, Bekim Gashi, emri i të cilit përmendet në letrën anonime, raporton KTV.
Në anën tjetër, sindikalistët e Trafikut Urban dyshojnë se kjo letër është shkruar nga disa punëtorë të pakënaqur, të cilët rishtazi janë ndëshkuar për mosparaqitje në punë.
Organizata INPO, e cila monitoron aktivitetet e Komunës së Prishtinës dhe të ndërmarrjeve publike, nuk e mohon mundësinë e ekzistimit të disa prej problemeve të përmendura në letër.
Trafiku Urban shumë shpejt pritet të marrë një donacion prej 5.5 milionë eurove, 2 nga Komuna e Prishtinës dhe 3.5 të tjerë nga Qeveria japoneze.