Konfirmohet pjesërisht aktakuza për rastin e PTK-së
Prishtinë, 1 shkurt Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër pesë të pandehurve lidhur me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it Sh.p.k dhe bartjen e mëvonshme të licencës për Dardafon.net Sh.p.k në vitin 2008 dhe 2009.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuat tri pika të aktakuzës kundër Ismet Bojkut, përfaqësues ligjor i Dardafon Sh.p.k dhe Dardafon.net Sh.p.k, Blerim Devollit dhe Shkëlqim Devollit, dy pronarë të kompanive private që i përkasin Devolli Group (Pika 1: Mashtrim, në kundërshtim me nenin 261 të Kodit Penal të Kosovës (KPK); Pika 2: Lidhja e kontratave të dëmshme, në kundërshtim me nenin 237 të KPK; dhe Pika 4: Falsifikim i dokumenteve, në kundërshtim me nenin 332 të KPK.
Gjykatësi po ashtu ka konfirmuar tri pika kundër Shyqyri Haxhës, Kryeshef ekzekutiv në PTK dhe Rexhë Gjonbalajt, kryetar i bordit të drejtorëve në PTK (Pika 6: Lidhja e kontratave të dëmshme, neni 237 i KPK; dhe Pikat 7 dhe 10: Shpërdorim i pozitës zyrtare, neni 339 i KPK).
Dy pika kundër Ismet Bojkut, Blerim Devollit dhe Shkëlqim Devollit janë hedhur poshtë (Pika 3: Keqpërdorim i besimit; dhe Pika 5: Krim i organizuar). Gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu ka hedhur poshtë dy pika kundër Shyqyri Haxhës dhe Rexhë Gjonbalajt (Pikat 8 dhe 9: Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi).
Kundër pikave të hedhura poshtë, prokurori mund të paraqes ankesë brenda tre ditëve nga dita e dorëzimit të vendimit.
Aktakuza ishte ngritur më 9 qershor 2011 nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSK).
Aktakuza është rezultat i një hetimi të filluar në qershor të vitit 2010 nga një prokuror i EULEX-it i PSRK-së, në bashkëpunim me njësinë e Inteligjencës financiare të policisë së EULEX-it. Gjatë bastisjeve të kryera më 15 korrik 2010, hetuesit kanë konfiskuar një sasi të madhe të materialit i cili ishte ekzaminuar nga PSRK. Ishin kryer edhe ekspertiza kyçe lidhur me provat e konfiskuara. Lidhur me këtë rast janë intervistuar një numër i dëshmitarëve.
Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë janë pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX-it.