Koncesionimi i Milot-Morinë, 5 kompani kalojnë provën e parë
Tiranë, 29 mars - Të pesë kompanitë që shprehën interesin e tyre për koncesionin e autostradës Milot-Morinë, e kanë kaluar provën e parë.
Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve ka bërë me dije se dokumentacioni teknik dhe ligjor, ashtu dhe ai ekonomik, nga të pesta kompanitë konkurrente është paraqitur i rregullt.
Komisioni i vlerësimit të ofertave të shprehjes së interesit ka parë me detaje për plot një muaj dokumentacionin që kompanitë e interesuara kanë dorëzuar deri më datë 27 shkurt në Ministrinë e Punëve Publike dhe pas kësaj kanë konsoliduar se gjithçka është në rregull.
Subjekteve u është shqyrtuar dokumentacioni ligjor, ekonomik dhe teknik dhe u konstatua se për secilin subjekt dokumentacioni u gjend në përmbushje të plotë të kritereve të kërkuara dhe, si rezultat, subjektet pjesëmarrëse janë klasifikuar për fazën e parë të kualifikimit, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndërkohë që kalimi i kësaj faze i hap rrugën fazës së dytë, që është edhe më e rëndësishmja dhe ku kompanitë do të paraqesin ofertat e tyre ekonomike.
Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve bën me dije se lidhur me detajet e kësaj faze, konkurrentët do të vihen në dijeni sipas procedurave që sanksionohen edhe me ligjet përkatëse.
Koncesioni i Milot-Morinë është lakuar nga kjo ministri si një shembull për transparencën me të cilën do të shoqërohet procesi dhe, nga ana tjetër, edhe si shembull për dhënien me koncesion të autostradave të tjera në vend.
Rruga e Kombit do të jetë rruga e parë që menaxhimi dhe mirëmbajtja do ti jepet privatit për shkak të kostove të larta dhe të papërballueshme për buxhetin.
Lidhur me procesin e dhënies me koncesion, qeveria ia besoi detajet e para lidhur me studimet dhe eficiencën e kësaj rruge Korporatës Ndërkombëtare Financiare, IFC. Në mes të këtij viti pritet që të përfundojnë të gjitha fazat e tenderit dhe operimi e mirëmbajtja të kalojë te kompania private fituese.
1 miliard euro llogaritet të jetë kostoja e mirëmbajtjes së gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë në 20 vitet e ardhshme, sipas raportit të konsulentit Luis Berger.