Komuna paguan transportin e mësimdhënësve udhëtarë edhe në 2013
Prizren, 21 nëntor - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit \"Transparenca online e Komunës së Prizrenit\" këtë javë ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Qeveria komunale e Prizrenit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Arsimit për shpalljen e tenderit për transportin e 650 mësimdhënësve udhëtarë të Komunës së Prizrenit, të cilët udhëtojnë në relacione të ndryshme brenda territorit të Komunës së Prizrenit, përkatësisht nga Prizreni për në fshatrat e komunës dhe anasjelltas.
Vlera e planifikuar nga buxheti i investimeve kapitale nga kjo drejtori, kap shumën prej 160.000 euro, e cila do të përfshijë tërë vitin kalendarik 2013. Sipas arsyetimit të DKA, sigurimi i udhëtimit do të ngrit vijueshmërinë në punë, do të ngrit cilësinë e arsimit, por edhe të suksesit sepse mungesat do të jenë shumë më të vogla se sikur të mos sigurohet udhëtimi i mësimdhënësve.
Drejtorisë për Administratë i janë aprovuar kërkesat për formimin e Komisioneve për Vlerësimin e Pasurisë në bazë të nenit 5 të Udhëzimit administrativ nr. 21/2009, për menaxhimin e pasurisë qeveritare, dhe Inventarizimin e Pasurisë në bazë të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr. 21/2009 për menaxhimin e pasurisë qeveritare.
Ekzekutivi komunal mori konkluzion edhe për hapjen e procedurës tenderuese për studimin e fizibilitetit për Qendrën SportiveSezai Surroi, e që duke u mbështetur në Ligjin për Partneritetit Publiko Privat dhe në direktivat që burojnë nga ky ligj, duhet të bëhet një studim i tillë. Pagesa do të bëhet nga pozicioni i Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Kalon edhe propozimi për shpalljen e tenderit për ndërtimin e kompleksit memorial të dëshmorëve në varrezat e Landovicës (parallogaria 260.000 euro).
Në këtë takim është miratuar edhe propozimi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike për formimin e komisionit për vlerësimin e automjeteve të konfiskuara që gjenden në parkun e automjeteve të dy operatorëve, vetura këto të konfiskuara nga ana e policisë, që në bazë të ligjeve në fuqi këto vetura duhet tu nënshtrohen procesit të shitjes së tyre me anë të procedurës të Licitacionit publik.
Është dhënë leja edhe për fillimin e përgatitjeve për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kërkesë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ku programi dhe agjenda do të përgatitet nga komisioni i themeluar për organizimin e manifestimeve. Gjithashtu, u mbështet edhe filmi dokumentar kushtuar Dëshmorit të Kombit Tahir Sinani, kërkesë e ardhur nga Multimedia IDEA(mbështetje financiare me vlerë prej 2500 euro).
Ekzekutivi i komunës në këtë mbledhje ka refuzuar që të miratoj kërkesën e DUPH-së për shpalljen e tenderit për studimin e fizibilitetit në lidhje me legalizimet, me arsyetimin se DUPH-ja nuk ka dhënë sqarime konkrete rreth këtij propozimi.