23 Dhjetor 2024

Komuna nis aksion gjatë natës për pastrimin e rrugëve të qytetit

Mitrovicë, 15 shkurt - Me qëllim të pastrimit sa më të shpejtë të rrugëve të qytetit, Komuna e Mitrovicës, prej të martës në mbrëmje ka nisur një aksion gjatë orëve të natës.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka angazhuar katër kompani që kanë punuar gjatë gjithë natës nëpër rrugët e qytetit.

Drejtori i kësaj drejtorie, Rasim Veseli, tha se ky aksion ka nisur natën meqë kompanitë operojnë më lehtë dhe nuk bllokojnë trafikun.

“Në anën e djathtë të rrugëve të qytetit zakonisht qëndrojnë automjete të  parkuara dhe ato janë shndërruar në pengesë për pastrimin e rrugëve. Për këtë kemi zgjedhur që të punojmë edhe natën nëpër rrugët e qytetit, atëherë kur bizneset mbyllen dhe pak automjete mbeten në rrugë”.

Theksoi se është punuar në shumicën e rrugëve të qytetit dhe është larguar një sasi e madhe e borës. Tha se do të punohet edhe në netët e ardhshme derisa të pastrohen të gjitha rrugët.

Për ecurinë e punës sa i përket këtij aksioni, drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se probleme kanë sjellur disa automjete që kanë mbetur prej shumë kohësh skaj rrugëve.

“Ne i kemi paralajmëruar të gjithë qytetarët me kohë, ndërsa pasi ka filluar aksioni e kemi angazhuar edhe kompaninë për largimin e automjeteve që pengonin pastrimin e rrugëve nga bora”.

Ai tha se një ndihmesë të madhe ka dhënë edhe Policia e Kosovës, që ka ndihmuar për orientimin e trafikut. “Është duke u bërë një punë e mirë dhe për këtë falënderoj edhe qytetarët që po na mbështesin”.

Në ndërkohë, të mërkurën është mbajtur takimi i rregullt i Komitetit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, që është aktivizuar pasi që është shpallur gjendja e gatishmërisë.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka vlerësuar angazhimin e të gjitha strukturave komunale, mandej partive të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, kompanive, kompanive private, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve që janë bërë pjesë e angazhimit për pastrimin e rrugëve nga bora.

Ndërsa për gjendjen aktuale në terren, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shumica e rrugëve janë të kalueshme edhe në rajonin e Shalës së Bajgorës, ku trashësia e borës është shumë e madhe.

Ai tha se është duke u punuar që të hapet rruga edhe në drejtim të fshatit Kovaqicë, ku jetojnë gjashtë familje, përderisa ende nuk ka nisur të punohet në drejtim të fshatit Kutllovc ku jetojnë dy familje.

Sa i përket situatës së furnizimit me ushqime, drejtori për Mirëqenie Sociale dhe Integrime Evropiane, Kastriot Jashari, tha se gjatë këtyre ditëve prej kur është  përkeqësuar situata klimatike janë ndihmuar rreth 100 familje me artikuj ushqimorë dhe mjete higjienike. “Nuk ka numër të madh të kërkesave, meqë shumica e rrugëve janë të hapura”.

Ndërsa për shërbimet mjekësore, drejtori i Shëndetësisë, Shaqir Demiri, tha se të gjitha ambulancat në territorin e komunës janë duke punuar.

“Ka pasur ndonjë ditë që nuk kanë punuar, por tash rrugët janë të kalueshme”. Ai përmendi si shqetësim dëmtimet që ka pësuar spitali rajonal i qytetit, përkatësisht reparti i kirurgjisë si pasojë e lagështisë që ka depërtuar nga pullazi.

Për të parë gjendjen në terren, të mërkurën ka qëndruar në zonën e Shalës edhe një delegacion i komunës, i prirë nga nënkryetari Riza Haziri.

Ata kanë vizituar edhe fshatin Kaqandoll për të parë gjendjen e rrugës magjistrale Mitrovicë-Podujevë që është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Nënkryetari Haziri theksoi se një pjesë e rrugës ende ka nevojë për pastrim, meqë kalohet me shumë vështirësi nga veturat.
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)