Komuna e Prishtinës rregullon rrugën “Fehmi Lladrovci”
Prishtinë, 12 prill - Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se pas dëmtimeve të shtresës së asfaltit në rrugën “Fehmi Lladrovci”, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave është e detyruar që të intervenojë për ta bërë sanimin dhe shtresimin e kësaj rruge, në të dy shtigjet (nga Rrethi i Flamurit, deri tek rrethi i spitalit).
"Njoftojmë qytetarët e Komunës së Prishtinës se të shtunën, më 14 prill, do të bëhet mbyllja e shtegut të parë të rrugës, ku edhe do të fillojnë punimet. Pas kryerjes së punimeve në këtë pjesë, do të vazhdohet në shtegun tjetër. Rregullimi i gjithë segmentit rrugor pritet të bëhet brenda 30 ditëve", thekson komuna e Prishtinës.