Komuna e Mitrovicës së shpejti do të bëjë vendosjen e semaforëve të rinj
Mitrovicë, 19 korrik - Komuna e Mitrovicës gjatë këtij viti do të realizoj një ndër projektet më të mëdha në infrastrukturë rrugore siç është edhe vendosja e semaforëve.
Semaforët do të vendosen në tri pikat më kryesore të qytetit tek ish-hotel Adriatiku, vendkalimi i hekurudhës (rruga “Shemsi Ahmeti”) dhe stacioni i Autobusëve.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, bënë të ditur se vendosja e semaforëve në Mitrovicë ka qenë prioritet i DSHPI-së që prej ardhjes së tij, pasi që ata semaforë janë të viteve 90-ta, dhe nga atëherë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.
“Një ndër projektet më me rëndësi në qytet tani është edhe vendosja e semaforëve. Kanë qenë disa semaforë të vjetruar dhe kanë qenë shumë të nevojshëm. Janë tri pika në fillim dhe në të ardhmen besoj se do të vendosen edhe në pika të tjera, sipas nevojës”, tha ndër të tjerash drejtori Muja.
Po ashtu drejtori Muja, theksoi se vlera e këtij projekti kushton rreth 170 mijë euro dhe se implementimi i këtij projekti të rëndësisë së veçantë për komunikacionin rrugor në këtë qytet, ka filluar në këtë vit por do të vazhdojë edhe në vitin tjetër.
“Projekti në total është 170 mijë euro. Për këtë vit janë 90 mijë euro të parapara, ndërsa vitet e tjera është projekt që do të bëhet vendosja e semaforëve, por në të njëjtën kohë kompania që e ka fituar tenderin do ta bëjë edhe mbikëqyrjen brenda tri viteve. Nuk do të ketë mjete shtesë gjatë mbikëqyrjes së këtij projekti”, shtoi Muja.
Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë semaforët pritet shumë shpejt që këta semafora të vendosen, ku do të jetë një lehtësim i madh në qarkullim të automjeteve dhe qytetarëve.