Komuna e Gjakovës përuron edhe dy rrugë të reja
Gjakovë, 2 dhjetor - Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, ka bërë përurimin e projekteve të reja në infrastrukturën rrugore në Komunën e Gjakovës.
Me këtë rast sot janë përuruar rrugët Papa Klementi dhe Ibrahim Fehmiu, investime këto të cilat lehtësojnë qarkullimin e banorëve të këtyre pjesëve të qytetit.
Jemi të angazhuar në vazhdimësi që të realizojmë infrastrukturën bazike në Komunën e Gjakovës. Nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nëse qytetarët tanë përballen me mungesë të rrugëve, ujit të pijes dhe energjisë elektrike.\"
"Andaj edhe këto dy rrugë që po i përurojmë sot, janë rrugë që asnjëherë nuk kanë qenë të asfaltuara dhe i kontribuojnë lëvizjes më të lehtë të qytetarëve."
"Gjatë vitit 2015 jemi angazhuar që të realizojmë projektet më prioritete, përderisa gjatë vitit 2016 do kemi investime në projekte madhore si hyrje daljet e qytetit, rrugë të reja që lidhin fshatrat e Komunës, si dhe investime që kanë të bëjnë me infrastrukturën e zhvillimit ekonomik, tha ndër të tjera Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila.
Ndërkohë, në Komunën e Gjakovës janë në finalizim projekti i rreth rrotullimi në afërsi të Stacionit të Autobusëve, rrugët Avni Lama dhe Jusuf Zherka, lagjja Bobi në fshatin Devë, përderisa këto ditë kanë filluar punimet për ndërtimin e Urës që lidhë rrugën transite me pjesën e re të qytetit e njohur si pjesa Rezina.