27 Dhjetor 2024

KMDLNJ: Veprimi sindikalist lejohet dhe mbrohet me ligj

Prishtinë, 20 mars - Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i janë drejtuar udhëheqësit e Sindikatës së Pavarur të RTK - së, përkatësisht kryetari i saj, Fadil Hoxha dhe nënkryetari, Arsim Halili me pohimin se ndaj tyre, për shkak të aktivitetit sindikalist, drejtuesit e RTK - së po hakmerren duke i përndjekur, kërcënuar, duke u dërguar para Komisionit disiplinor e deri te kërcënimi i skajshëm me largim nga puna.

Përveç deklaratës me shkrim dhënë KMDLNj-së, drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK – së i kanë bashkangjitur edhe një dosje me deklarata e materiale të tjera për të mbështetur pohimin se, në vazhdimësi janë kërcënuar nga drejtues të RTK - së përkatësisht nga drejtori i përgjithshëm Mentor Shala.

Madje, në pohimin e tyre deklarojnë se në vitin 2015 drejtori Shala i ka larguar në mënyrë arbitrare zz. Halili dhe Hoxha mirëpo Inspektorati i Punës e ka hedhur poshtë këtë vendim.

Në ndërkohë, ndaj zëvendëskryetarit të SPRTK-së janë ndërmarrë veprime dhe masa konkrete kurse kryetari, pas intervistës në emisionin “ INTERAKTIV” në KTV të datës 07.02.2017 është dërguar në Komisionin Disiplinor të RTK – së me pretendimin se në këtë emision e ka dezinformuar opinionin lidhur me punën e RTK – së, duke paraqitur të dhëna të pavërteta që kanë për qëllim diskreditimin dhe rrënimin e RTK – së. Tash pritet vendimi i Komisionit Disiplinor të RTK - së.

KMDLNj ka përcjellur këtë rast që nga fillimi i mosmarrëveshjeve e deri te përshkallëzimi që seriozisht po e dëmton punën e RTK – së sikur edhe të drejtën ligjore për organizim dhe veprim sindikalist që duhet të mbrohet me ligj pavarësisht emrave, si të atyre që janë në krye të RTK –së dhe SP RTK –së.

Veprimin dhe organizimin sindikalist, lirinë e fjalës dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të të drejtave sindikaliste, KMDLNj e konsideron si njërën ndër të drejtat themelore të njeriut prandaj fuçishëm i mbron këto të drejta duke dënuar çdo shkelje ndaj tyre.

Mirëpo, në të njejtën kohë e kundërshton çdo veprim që delë jashtë përgjegjësive sindikaliste e që thirret në të drejtat sindikaliste. Në rastin konkret kemi të bëjmë me dy të vërtetata në RTK:

a)    e para; drejtuesit e RTK –së deklarojnë se aktivitetet sindikaliste të SP RTK –së nuk janë aktivitete sindikaliste por janë veprime që kanë për qëllim rrënimin e imazhit të RTK –së dhe shkatërrimin e këtij mediumi publik informativ dhe rrjedhimisht e shkelin, Rregulloren e Punës prandaj ndaj tyre po ndërmerren masa disiplinore si shkelës të Rregullores së Punës e jo si aktivistë sindikalistë!

b)    E dyta; drejtues të SP RTK –së që sipas pohimit të tyre përfaqësojnë interesat e 400 punëtorëve të RTK –së deklarojnë se nuk po e dëmtojnë imazhin e RTK –së por se, me aktivitetin e tyre , duke denoncuar nepotizmin gjatë punësimit, mbipopullimin e të punësuarve që kryesisht janë joprofesionistë të fushës, shpërdorimet financiare dhe detyrës zyrtare, mungesën e sigurimeve shëndetësore për të punësuarit në këtë medium publik informativ si dhe mungesën e skajshme të transparencës dhe llogaridhënies po përdoren si pretekst nga drejtues të RTK –së për përndjekje dhe hakmarrje ndaj tyre duke e instrumentalizuar në këtë drejtim dhe për qëllimet e tyre Komisionin Disiplinor të RTK – së.

Për arsye se ky konfrontim i vazhdueshëm midis drejtuesve të RTK –së dhe atyre të SP RTK –së e ka sjellur këtë medium publik në një ngërç veprues që vërtetë e rrezikon RTK –në që financohet nga taksapaguesit kosovarë, KMDLNj kërkon të formohet një komision nga Kuvendi i Kosovës (jo Komisioni që aktualisht merret me RTK-në) i cili do të trajtonte zhvillimet në RTK pas së cilave do të dilte me rekomandime konkrete që nuk përjashton as masat ligjore që do të merren nga institucionet përkatëse, hetuesia dhe gjyqësori.

Kështu, lufta me dy “të vërteta” e dërgon në shkatërrim përfundimtar këtë medium publik. Nëse pohimet e drejtuesve të SPRTK – së dalin të vërteta, drejtuesit e RTK – së duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë, nga ajo morale deri te ajo penale dhe, nëse pohimet e drejtuesve të SP RTK – së dalin të pavërteta atëherë duhet të përkrahen masat e RTK –së ndaj tyre sikur që drejtuesit e SPRTK duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë ligjore.

Në situatën e krijuar , vet drejtuesit e RTK-së duhej të bëjnë ftesë Kuvendit të hetojë pohimet e SP RTK sikur që edhe vet drejtuesit e RTK-së duhet të bashkëbisedojnë me SPRTK –së për problemet e tashme duke kërkuar rrugëzgjidhje të pranueshme për të gjithë.

Kjo , nëse jo në tërësi, atëherë në masë të madhe do ta qartësonte përgjegjësinë e të gjithëve që nënkupton se drejtuesit aktualë nuk i kanë shkaktuar të gjitha problemet por se një pjesë të tyre mund ta kenë trashëguar.

Rrugë dhe mundësi tjetër për të dalë nga kjo gjendje në RTK nuk ka. Mëdyshja dhe inati , si armë e konfrontimit nuk mund të jenë zgjidhje.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)