KMDLNJ: Të lejohen targat kosovare në Serbi
Prishtinë, 19 janar - Qarkullimi i automjeteve me targa serbe në Kosovë ka sjellë dhe reagimin e Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Në një deklaratë për mediat, KMDLNJ-ja kërkon respektimin e ligjeve të Kosovës dhe sugjeron ndërhyrjen e autoriteteve ndërkombëtare.
KMDLNj-ja sugjeron se nëse pranohet që targat serbe të jenë në Kosovë, atëherë e njëjta gjë duhet të ndodh dhe me targat e makinave të kosovarëve që jetojnë në Serbi.
KMDLNj kërkon që tabelat ilegale të automjeteve me të cilat ridëshmohet sovraniteti i Serbisë në Kosovë të hiqen nga përdorimi dhe çdo kompromis ( lejimi i 186 tabelave ) është i papranueshëm. Nga aspekti i raporteve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane nëse lejohet vetëm edhe një tabelë e vetme e Serbisë në Kosovë është shkelje e pavarësisë dhe sovranitetit. Nëse lejohen që të qarkullojnë 186 automjete me tabela të Serbisë në Kosovë atëherë KMDLNj propozon që të prodhohen 186 tabela të Republikës së Kosovës dhe të shpërndahen për komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë!, thuhet në reagimin KMDLNJ.
Më tej KMDLNJ sugjeron se institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë përgjegjësi për sigurinë dhe drejtësinë më shumë janë të interesuara që të ruajnë situatën e sigurisë se të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
Veprimi i policisë së EULEX në rastin e pengimit të punës së policisë dhe doganave në veri siç rasti i konfiskimit të mallrave të padoganuar si dhe kërkesa drejtuar Ministrisë Punëve të Brendshme për pezullimin e konfiskimit të targave serbe të lëshuara për Kosovë nuk kontribuojnë në rendin kushtetues të Kosovës, thuhet në reagim.