KMDLNJ: Bechtel Enka, pas vetes do të lë një varrezë masive mjedisore
Prishtinë, 11 qershor - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka deklaruar se shkatërruesi i mjedisit në Kosovë dhe aspiratori i buxhetit të Kosovës, me kontrata krejtësisht të mjegulluara, Bechtel Enka arriti t’i thithë buxhetit social të Kosovës edhe 53 milionë euro të buta duke ndikuar edhe më shumë në përkeqësimin e gjendjes ekonomike – sociale të pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës.
Hiç këtu sipas KMDLNJ-se të korruptuarit që ia mundësuan ekocidin mjedisorë dhe që po e lejojnë këtë vrasës të sistemit ekologjik të vazhdojë aktivitetin e pandëshkuar sipas parimit: “Projekto, ndërto dhe përfito ...” duke mos marrë parasysh aspak intereset e qytetarëve të Kosovës.
Realisht sipas KMDLNJ-se pas përfundimit të autoudhës “ Arbër Xhaferi “ , me një çmim sikur të shtrohej me metale të çmuara, Bechtel Enka , pas vetes do të lë një varrezë masive mjedisore duke mos i dhënë llogari askujt.
Humbja e jetëve të dy policëve të Kosovës në rrethana, ku, sipas raportit të policisë dhe ekspertizës profesionale automjeti ka qenë teknikisht në rregull dhe se shpejtësia ka qenë jo më e madhe se 30-35 km. në orë ngre dyshime të bazuara se rruga ku është punuar dhe ka filluar ngushëtimi i saj nuk ka qenë e sinjalizuar dhe se për këtë përgjegjësi kanë kryerësit e punëve apo kompania në fjalë andaj KMDLNj pati kërkuar që , përmes hetimeve të përcaktohet apo përgënjeshtrohet përgjegjësia e Bechtel Enka për vdekjen tragjike të dy policëve që shkaktuan hidhërim të madh te të gjithë qytetarët e Kosovës.
"Pas vdekjes së pasqaruar dhe në rrethana të dyshimta të dy policëve të Kosovës, aksi rrugorë ku ndodhi fatkeqësia u mbyllë për kohë të pacaktuar shkaku i shembjes së dheut për çka Bechtel Enka mbanë përgjegjësi konkrete."
"Kohëve të fundit, shumë banorë të luginës së Lepencit të cilën e degradoi pakthyeshëm ky ndërtues – vrasës mjedisorë po ankohen për dëmtim të pronave të tyre për shkak të përmbytjes dhe se nuk po kompensohen për dëmet të cilat , sipas vlerësimeve komunale kalojnë shifrën prej 1 milionë euro."
"Nëse Bechtel Enka e penalizon qeverinë e Kosovës, për shkak të vonesës së pagimit të kësteve, me më shumë se 38 milionë euro mbi shumën e paraparë , pse atëherë nuk ua kompenson dëmin banorëve që e kanë pësuar për fajin e kësaj kompanie ? Banorët e dëmtuar duhet ta padisin kompaninë Bechtel Enka për dëmet e shkaktuara të çastit dhe ato afatgjate duke kërkuar zhdëmtim , në përputhje me dëmet e shkaktuara", ka theksuar KMDLNJ.
Për KMDLNj ende mbetet i hapur rasti i vdekjes së dy policëve të Policisë së Kosovës pasi që nuk janë shterrur të gjitha hetimet që do të siguronin një të vërtetë të pakundërshtueshme.
KMDLNj kërkon hetime të shpejta , të pavaruara dhe të pandikuara politikisht për rastin e 53 milionëve që iu paguan Bechtel Enka në kohën kur ministri Zharku deklaron publikisht se detyrimi ndaj kësaj kompanie nuk ka qenë më shumë se 14.6 milionë euro.
Për rastin konkret sipas KMDLNJ-se duhet të caktohet përgjegjësia, ose për ministrin Zharku për deklarim të së pavërtetës, ose për ministrin Lekaj për “ qerasje “ të jashtëzakonshme bujare për këtë kompani.
"Në këtë rast nuk mund të jenë dy të vërteta dhe çdo hezitim që përmes hetimeve të sqarohet rasti dhe në bazë të provave të siguruara të përcaktohet përgjegjësia konkrete penale , është bsahkëpjesëmarrje në kryerje të veprës penale."
"Qytetarët e Kosovës e që përmes tatimit të paguar kontribuojnë për ndërtimin e autoudhës super të kushtueshme , duhet të informohen ku shkojnë taksat e tyre!"
"Duket se Bechtel Enka është ndarë e stërkënaqur me këtë bonus të pamerituar milionësh prandaj ka vendosur të shtrojë darkë për udhëheqësit e lartë kosovarë por jo edhe për banorët që i ka dëmtuar duke ua shkatërruar pronat dhe që nuk ua kompenson dëmet", ka vleresuar ne fund KMDLNJ.