Klani "Pronto" ia mësyn edhe një herë PTK-së
Prishtinë, 26 prill - Analistët politikë, por edhe deputetët nga opozita, e kanë përcjellë me shqetësim të madh alarmin për kompaninë publike, PTK-në, që dikur ishte krenaria ekonomike e Kosovës dhe vlerësohej një miliard euro.
Tani vazhdon të zhvlerësohet dhe rrezikon të falimentojë, por derisa politika është e involvuar aty për interesa kriminale, sipas tyre, edhe ky alarm nuk bën kurrfarë befasie.
Madje tani dyshohet me plotë bazë se fati i PTK-së veç është paracaktuar nga krerët e inkriminuar të vendit, si pjesë të klanit kriminal "Pronto" dhe me pëlqimin në heshtje gati të të gjitha partive parlamentare, të cilat për vite të tëra morën pjesë nga "tepsia ëmbëlsirë" tashmë e zbrazur dhe e ndryshkur e Telekomit të Kosovës.
Sidoqoftë, falimentimi i kësaj kompanie konsiderohet se është vetëm njëri rrezik, sepse arbitrazhi me AXOS-in, një tjetër skenar me pasoja të rënda, është në horizontin e zymtë që po e pret në "pritë" Qeverinë kosovare.
Analisti Bislim Aliu ka pohuar se fati i PTK-së është përcaktuar nga krerët e inkriminuar të vendit, si pjesë e klanit 'Pronto" dhe sigurisht me pëlqimin në heshtje të të gjitha partive parlamentare, të cilat me vite të tëra morën pjesë nga 'tepsia ëmbëlsirë", tashmë e zbrazur e Telekomit të Kosovës.
"Ky falimentim i paralajmëruar është vetëm njëri rrezik, sepse arbitrazhi me AXOS-in është një tjetër skenar me pasoja të rënda, i cili është në horizont, që po e pret në "pritë" Qeverinë kosovare. Mendoj se rasti i PTK-së është ilustrimi më i mirë i dështimit skandaloz i të gjitha qeverive tona në menaxhimin e resurseve dhe aseteve më vitale e fitimprurëse publike. Me ketë, të gjitha kompanitë si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, nuk janë konsideruar asnjëherë si pronë e popullit, por ato thjesht janë trajtuar e synuar si plaçkë dhe strehë e militantëve politikë, klientelës dhe familjarëve të politikanëve e mafio-bizneseve të inkriminuara!", u shpreh ai.
"Ndaj, këto ndërmarrje publike, në krye me PTK-në, u shndërruan në objekte luksi dhe privilegjesh, me rroga tejet të larta për standardin kosovar, e milionat pandalshëm fluturonin sipas lidhjes korruptive e kriminale. Me këtë sistem të drejtësisë, të kontrolluar në tërësi nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, nuk është fare çudi pse edhe pas rrënimit të kompanisë askush nuk është i akuzuar, as i dënuar dhe bile as që pritet që ndokush të përgjigjet për këtë shkatërrim total", potencoi Aliu për "Kosova Sot".
Lajçi: PTK-ja është shfrytëzuar vetëm për rifitimet e klientelës kriminale të klanit 'Pronto'
Shkatërrim të qëllimshëm e sheh krejt këtë që po ndodh rreth PTK-së edhe deputeti Ali Lajçi, sipas të cilit në këtë gjigant nuk është investuar, por ai është shfrytëzuar vetëm për rifitimet e klientelës kriminale të klanit 'Pronto' dhe tani është buzë kolapsit.
"Ne e kemi thënë edhe më herët dhe aty qëndron krejt ajo që e kemi thënë dhe më parë. Këtu del qëllimi që nuk është investuar në atë ndërmarrje, por është ardhur duke u shfrytëzuar, duke u shkatërruar, rrjetin e saj e ka përdorur edhe tjetërkush, pastaj edhe klientët për shkak të mosshërbimeve të mira bukur shumë kanë ikur dhe në këtë mënyrë shihet që qëllimi ka qenë për ta zhvlerësuar dhe pastaj për ta privatizuar dhe për ta marrë në shfrytëzim dikush prej klientelës së tyre apo të njerëzve që janë në rrjetin e përfitimeve dhe të korrupsionit", tha Lajçi për "Kosova Sot".
Kriminalizimi i kompanisë
Se politika është infektuar si kancer që po e shkatërron këtë gjigant, me qëllim të gllabërimit në proces privatizimi, e thotë edhe analisti Jeton Kelmendi."Mendoj se problemi i PTK-së është vetëm një nga problemet më të mëdha me të cilat është përballur Kosova që nga fillimi i procesit të privatizimit, sikurse edhe me shumë probleme të tjera me të cilat Kosova po vazhdon të përballet. Fakti se dikur vlera e PTK-së llogaritej në një miliard e 300- 400 milionë dhe tani paralajmërohet se do të humbin të gjitha aksionet nga qeveria, mendoj se është kjo krejt diçka e kurdisur nga mekanizmat e politikës, të cilët me çdo kusht po tentojnë ta devalvojnë për ta blerë vetë dhe për t'u bërë aksione, ose për t'i futur me aksione njerëzit e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e kapjes totale të shtetit", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot".
Shpërdorimi i pasurisë publike
Analisti politik Ali Hertica thotë se është për keqardhje se si po shkatërrohet ky gjigant, aset shtetëror që ka mundur të jetë infuzion i qëndrueshëm i zhvillimit tëvendit.
"Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), dikur kompania që ishte nderi ekrenaria ekonomike dhe më profitabilja, me mbi 2 mijë të punësuar, tani po përballet me mbijetesën nga grupet e të inkriminuarve që janë të instaluar aty, siç është edhe grupi "PRONTO", që po e shkatërron atë. Për çdo vit, sipas raporteve vjetore, tani kjo kompania ka vazhduar me rënie, rreth 20 milionë euro më pak se në vitin paraprak, që nga 2014. Nga 104 milionë euro të planifikuara pas rishikimit, Telekomi ka realizuar 84.3 milionë euro, apo 20% më pak" , tha Hertica për "Kosova Sot". Të tillë e sheh fatin e PTK-së edhe analisti Blerim Burjani.
"Problemi i Telekomit ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit, zhvatjes së buxhetit, parregullsive të mëdha të bëra nga menaxhmentet partiake, dihet se kjo ndërmarrje ka pasur mbipunësim partiak e familjar, secili drejtor i këtij Telekomi ka qenë i përfshirë në parregullsi dhe janë akuzuar për vepra penale, andaj këto gjëra kanë sjellë deri te një situatë bankrotimi, e tani në të njëjtën situatë gjinden edhe RTK-ja si medium publik, i cili ka mbipunësim, punësim partiak dhe njerëz të shumtë në shërbim të partive politike", tha Burjani për "Kosova Sot".
Të kapura nga krimi dhe korrupsioni, për t'i gllabëruar ato, i sheh të gjitha kompanitë e mëdha publike të mbetura pa u privatizuar edhe prof. Muhamet Kelmendi."Jo vetëm kjo pronë që u shkatërrua nga ana e oligarkëve politikë të Kosovës, por kemi shkatërrime të shumta, kuptohet të subjekteve ekonomike që ishin shumë rentabile dhe që kishin të punësuar jashtëzakonisht shumë", u shpreh ai.
"Shkatërrimet e pronës së shtetit dhe asaj shoqërore u bënë në disa mënyra: 1. Privatizim si formë e shkatërrimit definitiv të punës dhe të lënies pa punë të mijëra punëtorëve në Kosovë, 2. Punësim i pa kriter nëpër firmat rentabile dhe 3. Vjedhjet e parasë publike. Të tria këto forma kanë deformuar dhe likuiduar ekonominë e Kosovës. Shumë firma u shitën me çmime shumë të ulëta dhe me qëllime të përfitimeve të klaneve të krijuara mafioze nga fusha politike dhe ajo ekonomike", ka thënë Kelmendi për "Kosova Sot".
Qytetarët akuzojnë pushtetin: politika e shfrytëzoi 20 vjet PTKnë, ndërsa tani mund ta blejnë 'Devolli' me klanin 'Pronto'!
Problemin e krijuar në PTK edhe qytetarët eanketuar nga gazeta e shohin si problem kriminal, të krijuar nga vetë politika, prapa të cilit fshihet qëllimi për ta privatizuar me një çmim tepër të ulët, që u shkon për shtati klaneve të mafisë politike.
Qytetari Ismail Muçiqi thotë se që nga ditët e para të pasluftës ky gjigant fitimprurës i Kosovës ka qenë në shënjestër të politikës dhe tani po kjo politikë që e ka uzurpuar është edhe duke e shkatërruar.
"Kjo çka është duke ndodhur me PTK-në dhe me disa ndërmarrje të tjera publike në Kosovë është shumë brengosëse. Në rend të parë, në postë dominon që nga fillimi deri në mbarim vetë politika. Politika është duke vepruar aty, janë klanet dhe grupet e interesit, numri i madh i të punësuarve, papërgjegjësia e stafit udhëheqës që e ka sjellë PTK-në deri në këtë gjendje që është në prag të falimentimit", u shpreh ai.
"Prokuroria tani ose kurrë patjetër do të duhej të zgjohej dhe të heton çdo gjë, sepse aty më shumë se 1000 punëtorë janë tani si tepricë teknologjike dhe janë të strehuar njerëz të klaneve, të partive politike dhe njerëz nga të cilët partitë politike kanë interes për vota", tha Ismail Muçiqi. Kështu mendon edhe Mirsad Krasniqi.
"Me këtë skandal do të duhej të merrej prokuroria, për të parë se si erdhi deri te kjo situatë që nga një gjigant që ishte PTK-ja, të vijë deri te falimentimi dhe aty të dalin para drejtësisë shkaktarët, të gjithë ata që e sollën në këtë gjendje. Por, kjo nuk besoj që do të bëhet, sepse edhe kjo qeveri, edhe të tjerat, vetë i kanë qitur njerëzit në ato poste, edhe në drejtësi", tha Krasniqi.
Qytetari tjetër, Bajrami Kastrati, tha se kjo kastë politike e ka plaçkitur vendin."Veç edhe shpirtin çka nuk na e kanë marrë, ky shtet që është i pari në botë që po e shkel edhe popullin e vet, prandaj pse të mos e kurdisin edhe falimentimin, kanë interesat dhe përfitimet e veta, kanë limitet e veta dhe në fund secili i ndan sipas kategorive dhe e marrin përfitimin e tyre. Këtu vetëm populli po e pëson. Prapa këtij falimentimi fshihen pikërisht këta zotërinjtë që janë në fotele", potencoi ai. Sipas Kastratit, politika e shfrytëzoi 20 vjet PTK-në, ndërsa tani mund ta blejnë 'Devolli' me klanin 'Pronto'.
(Kosova Sot)