KKZHE miraton privatizimin e PTK-së
Prishtinë, 16 prill - Në mbledhjen e dhjetë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, të kryesuar nga zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, u diskutua për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, reformat e ardhshme për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, programin për bujqësi dhe zhvillim rural 2013, si dhe mundësitë e përfshirjes së klauzolave të arbitrazhit në kontratat e prokurimit publik.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, procesin e PTK-së e cilësoi të suksesshëm dhe të një rëndësie të madhe për vendin tonë. Kryeministri Thaçi foli edhe për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, reforma fiskale, infrastrukturën rrugore dhe politika tjera favorizuese që Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërmerr në vazhdimësi.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i informoi anëtarët e KKZHE-së për mbarëvajtjen e procesit të privatizimit të 75% të PTK-së dhe pas konfirmimit nga Këshilltari i transaksionit dhe Këshilltarit strategjik është vërtetuar se çdo gjë është komfor ligjeve të Republikës së Kosovës.
Ministri Beqaj iu rekomandoi anëtarëve të Këshillit ta miratojnë vendimin e këshillit, i cili u aprovua unanimisht nga të gjithë anëtarët e KKZHE-së.
Më tutje, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, prezantoi pikat e ardhshme për ambientin e të bërit biznes.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saja janë përcaktuar që në periudhën afatmesme, në bashkëpunim me komunat, të përmirësojë të gjithë treguesit e të bërit biznes, duke arritur në top 40 reformatorin sipas raportit vlerësues të Bankës Botërore për të Bërit Biznes deri në vitin 2014."
"Kjo nënkupton reforma gjithëpërfshirëse në të gjithë indikatorët e të bërit biznes dhe kërkon një koordinim më të mirë në mes të autoriteteve komunale dhe atyre qendrore, theksoi ajo. Ministrja Kusari Lila në detaje sqaroi të gjitha reformat e nevojshme në indikatorët e të bërit biznes.
Në këtë pikë nuk pati komente nga anëtarët e Këshillit, por Oda Ekonomike e Kosovës ngriti shqetësimin e gjuhës së përdorur në Parlamentin e Kosovës.
Berat Rukiqi nga OEK tha se si përfaqësues i bizneseve është ndier i shqetësuar kur ka dëgjuar nga deputetet se bizneset e mëdha janë kriminale. Ai ka shtuar se trajtim i njëjtë i është dhënë edhe ligjit për investimet e huaja.
Si pikë e rendit të ditës ishte raportimi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2013, ku ministri Blerand Stavileci prezantoi 32 masa që ministria që ai e drejton do ti ndërmarrë për këtë vit, me qëllim të lehtësirave të fermerëve.
Ndërkaq, Kreu i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, prezantoi idenë e futjes së Klauzolës së Arbitrazhit në Kontratat e Prokurimit Publik si dhënien e mundësive të barabartëtë kompanive vendase në përdorimin e mekanizmave alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me organet qeveritare.
Dy pikat e rendit të ditës të parapara për sot: Diskutimi për Ligjin për Investimet e Huaja si dhe Diskutimi për Industrinë e Rëndë u shtynë për të premten e ardhshme, ku do të mbahet takim i radhës vetëm për këto dy pika.
Ky ishte takimi i dytë për këtë vit i Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili është organi kryesor këshillues dhe vendimmarrës për politikat ekonomike dhe reformat dhe mbahet çdo muaj. Ky këshill përbëhet nga Zyra e Kryeministrit, 11 ministri, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, tri asociacione të biznesit, si dhe nga donatorë të jashtëm të cilët po e ndihmojnë Kosovën.