Kinezët shprehin interes për ndërtimin e Rrugës së Arbrit
Tiranë, 17 janar - Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit Europian në Ministrinë e Tregtisë së RP të Kinës Xu Xiaofeng vlerësoi sot në Tiranë frymën e re të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe propozoi kërkesat e palës kineze për ndërtimin e rrugës së Arbërit, aquakulturës, për investime në telekomunikacion, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, inovacion, etj.
Kina me këtë sesion vlerëson thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe është rast për nxitjen e tyre, tha ai në takimin e sotëm të Sesionit të 8-të të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Shqiptaro-Kinez për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Sipas Xiaofeng, zhvillimi ekonomik mes dy vendeve po ecën mirë, tregtia është rritur shumë dhe sipas statistikave kineze, në vitin 2012 këmbimet tregtare arritën vlerën 487 milionë usd, ndërsa për periudhën janar-nëntor 2013 në vlerën 520 milionë usd. Rritja e këmbimeve tregtare nga Shqipëria krahasuar me vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore është mbi nivelin mesatar, tha Xu Xiaofeng.
Ai vlerësoi asistencën teknike që ka dhënë Kina këto vite. Në fund të vitit 2013 ishin 222 shqiptarë që përfituan nga bursat e qeverisë kineze për trajnime në Kinë, tha Xiaofeng, duke shtuar se, vjet Shqipërinë e vizituan 900 kompani kineze për të parë mundësitë për investime. Kjo është bazë e mirë për bashkëpunim në të ardhmen, shtoi ai.
Xiaofeng tha mes të tjerave, se Kina mirëpret rritjen e eksporteve shqiptare dhe ftoi firmat shqiptare të rrisin pjesëmarrjen nëpër panairet kineze për të bërë të njohura produktet shqiptare dhe si një mundësi e mirë për krijimin e partneriteteve me kompani kineze. Ne do të afrojmë lehtësi për ndërmarrjet dhe produktet shqiptare, tha ai.