Kina zbulon një sinjal nga avioni i zhdukur
Pekin, 5 prill - Kina njoftoi se një anije e saj në kërkim të avionit të zhdukur malajzian ka zbuluar një impuls radioje në pjesën jugore të Oqeanit Indian, i cili mund të jetë emetuar nga regjistruesi i të dhënave të fluturimit.
Ekspertët thonë se nëse konfirmohet, sinjali i monitoruar mund të jetë një zbulim i rëndësishëm në përpjekjet për të zgjidhur misterin e aeroplanit të zhdukur me 239 veta në bord.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e Kinës njoftoi se impulsi është dëgjuar në frekuencën 37.5 kilohertz , një frekuencë ndërkombëtare standard për regjistruesit e të dhënave të fluturimit.
Avioni malajzian që ishte nisur nga Kuala Lumpuri dhe ishte drejtuar për në Pekin u zhduk rreth një muaj më parë. Kërkimet janë përqendruar në një zonë të gjerë dhe të largët të Oqeanit Indian.
Të paktën 13 avionë dhe 11 anije po marrin pjesë në operacionet e kërkimet. Anije me teknologji të avancuar lokalizuese po përpiqen të gjejnë vendndodhjen e avionit përpara se bateritë e kutive të zeza të fiken.
Kërkimet po koordinohen nga Agjencia Qendrore e Koordinimit të qeverisë australiane nga qyteti i Perthit, në perëndim të Australisë.
Në një deklaratë për shtyp, agjencia deklaroi se kërkimet janë fokusuar në një hapësirëprej 217 mijë kilometrash katrorë, 1.700 km në perëndim të Perthit.
Avioni u zhduk më 8 mars me 239 persona në bord. Ai dyshohet të jetë rrëzuar në Oqeanin Indian, edhe pse nuk janë gjetur ende copa të tij. Gjithashtu, ende nuk dihet përse avioni ndryshoi kursin e fluturimit nga Kuala Lumpuri në Pekin.