Kina publikon imazhe satelitore të një objekti në Oqeanin Indian
Pekin, 23 mars - Zyrtarët e Malajzisë thonë se Kina ka publikuar imazhe satelitore të një objekti në sipërfaqen e Oqeanit Indian në jugperëndim të Australisë.
Ministri malajzian i mbrojtjes Hishammuddin Hussein u tha gazetarëve sot se një satelit kinez kishte diktuar një objekt me përmasa 22.5 dhe 13 metra në një zonë ku zyrtarët shpresojnë të gjejnë avionin e humbur të linjës ajrore Malaysia që u zhduk para dy javësh me 239 pasagjerë dhe ekuipazh në bord.
Megjithatë ai tha se nuk ka konfirmim se objektet e gjetura në atë zonë i takojnë avionit të zhdukur dhe nuk dha më shumë informacion.
Hishammudin tha se shqetësimi i tij më i madh është se nëse objektet e diktuara nuk i takojnë avionit të humbur, përpjekjet e kërkimit do të rikthehen përsëri në dy korridore të një zone masive.