KfW 42 milionë euro për linjën e transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë

Tiranë, 25 shkurt - Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e radhës marrëveshjen ndryshuese të huas dhe projektit me Bankën Gjermane të Zhvillimit (KfW) për linjën e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.
Marrëveshja ndryshuese e huas dhe projektit për linjën e transmetimit Tiranë-Prishtinë është 42 milionë euro. Kjo linjë bën të mundur lidhjen e dy vendeve me një “autostradë energjetike”.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka një gjatësi totale 241,1 km, nga të cilat 151,1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës.
Ky projekt ka një impakt të rëndësishëm në rritjen e kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike midis dy vendeve dhe me vendet e rajonit, krijimin e mundësive më të mira tregtare për shkëmbime të energjisë dhe tranzite në rrjetin rajonal.
Linja ndikon në krijimin e mundësive të shfrytëzimit optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike duke minimizuar kostot dhe rritur efiçencën e prodhimit. Vepra rrit besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik të dy vendeve dhe atij rajonal.
Kjo linjë redukton riskun hidrologjik në Shqipëri, ku prodhimi i energjisë elektrike është i bazuar tërësisht në hidrocentrale. Gjithashtu ndihmon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe përmirësimin e balancimit të rrjetit të transmetimit dhe manovrueshmërisë së tij.