KFOR-i francez viziton PTK-në
Prishtinë, 28 prill - Kryeshefi Ekzekutiv i PTK, ka pritur në një takim dy përfaqësues të KFOR-it francez , me të cilët bisedoi mbi gjendjen e krijuar dhe zhvillimet pas largimit të disa antenave të operatorëve ilegalë në Kosovë dhe ofertat shumë të volitshme, që PTK u ka mundësuar banorëve të enklavave serbe të afektuara nga ky aksion i ART-së.
Deri më tani, PTK ka ndarë afër 5000 SIM kartela nëpër enklavat serbe, ndërkohë që interesimi për tu pajisur me SIM kartela vazhdon të mbetet i lartë, sidomos nga të rinjtë.
Operatorit Vala, jo vetëm që u ka ofruar një produkt të ri dhe shumë të volitshëm të gjithë konsumatorëve të saj, në një anë, por ka bërë që të ketë ngritje të trafikut për 4.5 për qind krahasuar me të kaluarën, nga ana tjetër, ka shpjeguar Dr. Shyqyri Haxha gjatë bisedës.
PTK, gjithashtu është në kontakt me drejtuesit e Monaco Telecom-it dhe po bën përpjekje që të arrihet një marrëveshje, e cila do të mundësonte që thirrjet nga Vala drejt operatorëve në Serbi të faturohen njëjtë sikur thirrjet tjera brenda rrjetit, Vala Vala.
Në anën tjetër, sipas Dr. Haxhës edhe me shërbime të telefonisë fikse, gjendja qëndron mirë nëpër enklavat serbe, që do të thotë se atje funksionojnë shërbimet e telefonisë fikse, në veçanëti në Graçanicë dhe në pjesët tjera, gjë që i demanton deklaratat e banorëve serb.
Ekipet tona të hënën mbrëma kanë qenë në të gjitha spitalet nëpër vendbanimet serbe ku kanë tentuar që të instalojnë shërbimet tona, mirëpo atyre nuk u është mundësuar një gjë e tillë. Në të njëjtën kohë, ekipet e PTK-së kanë vërtetuar se në ato vendbanime ka qasje në shërbimet e telefonisë fikse, ka vazhduar më tutje Dr. Haxha.
Në Graçanicë dhe Shtërpce funksionojnë numrat e telefonit fiks, nga operatorët serb, ndërsa në Gorazhdec përdoren shërbimet e Telekomit të Kosovës.
Përgjithësisht, PTK ofron shërbimet e saj anëekënd Kosovës, por sipas Dr. Haxhës, edhe nëse nëpër disa vendbanime të enklavave nuk posedojnë lidhjet e Telekomit të Kosovës, ekipet e PTK-së do ti kyçnin brenda ditës, vetëm se na duhet përkrahja e banorëve.
Përfaqësuesit e KFOR-it francez, kanë përshëndetur hapat konkret të Kryshefit Ekzekutiv dhe menaxhemtit të PTK-së, ndërkohë që e kanë inkurajuar dhe mbështetur atë që të vazhdohet me këtë trend, i cili u ka ofruar komunikim të lehtë të gjithë banorëve të enklavave serbe në Kosovë.