Këtë vit do të asfaltohen të gjitha rrugët në fshatin Jashanicë
Klinë, 23 shkurt - Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka bashkëbiseduar me banorët e fshatit Jashanicë të Klinës për realizimin e disa projekteve infrastrukturore.
Bashota i ka njoftuar banorët e këtij fshati se këtë vit do të asfaltohen të gjitha rrugët në lagjet e këtij fshati të cilat deri tash kanë qenë në gjendje të vështire dhe me këtë investim krijohen lehtësira në lëvizjen e banorëve.
Në lagjet e këtij fshati do të asfaltohen mbi 10 km asfalt për tu lidhur me rrugën kryesore.
Gjithashtu, Bashota ka treguar se në Jashanicë do të realizohet edhe projekti i kanalizimit të ujërave të zeza ku ndër të tjera janë paraparë rreth 100 mijë euro investime.
Pushteti lokal po bën gjithçka çështë e mundur për të krijuar kushte sa më të mira për qytetarët. Nevojat janë të mëdha, ndërsa mundësitë buxhetore të kufizuara, por ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë qytetarët e kësaj ane dhe të gjithë komunës, u ka thënë Bashota banorëve të Jashanicës.
Në anën tjetër, banorët e kanë falënderuar kryetarin Bashota dhe bashkëpunëtorët e tij për angazhimin në realizimin e këtyre dy projekteve jetike.
Ndër të tjera pritet edhe rregullimi i çështjes së ujit të pijshëm për Jashanicën dhe Resnikun.
Komuna e Klinës do të realizojë edhe projektin shumë të rëndësishëm të asfaltimit të rrugës që nis nga aksi rrugor Klinë-Skenderaj deri në fshatin Ujmirë.