25 Dhjetor 2024

Kërkojnë shtyrjen e privatizimit të PTK-së

Prishtinë, 13 shkurt - Kolegji “Riinvest” ka organizuar debatin me temën “Përgjegjësia sociale pas dështimit të dytë të privatizimit të PTK-së, opsione të tjera apo vendnumërim”.

Në këtë debat është thënë se privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) duhet të ndodhë, por së pari duhet të caktohet mënyra e privatizimit, përqindja e aksioneve si dhe momenti i privatizimit, që do të ishte i dobishëm për zhvillimin e Kosovës.

Drejtori i Qendrës për Promovimin e Zhvillimit në “Riinvest”, Muhamet Sadiku, ka deklaruar se procesi i deritanishëm i privatizimit të PTK-së është vënë në kontekst të presionit fiskal nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka marrë shembuj të vendeve të rajonit se si e kanë bërë shitjen e aksioneve të ndërmarrjeve të tyre telekomunikuese, duke thënë se asnjë nga vendet e rajonit nuk i ka shitur 75 për qind të aksioneve të kompanive telekomunikuese të telefonive mobile siç ka dashur Qeveria e Kosovës.

“Gjithnjë komentet kanë shkuar në drejtim se na mungojnë kaq para të shpenzojmë, gjithnjë është një konfrontim me presionin fiskal që unë e quaj nganjëherë edhe apetite për shpenzime të vazhdueshme”, ka deklaruar ai.

Kurse profesori Muhamet Mustafa është shprehur se duhet të diskutohet përqindja e shitjes së aksioneve. Sipas tij, më e pranueshme do të ishte deri në 60 për qind.

“Për ta privatizuar PTK-në duhet të përcaktohet arsyeja ekonomike e privatizimit, duhet të bëhen analiza se çfarë në të vërtetë do të përfitojnë Kosova dhe ekonomia e saj”, ka thënë ai. 


Ndërkaq kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, ka deklaruar se privatizimi do të ndihmojë në përshpejtimin e zhvillimit të PTK-së. E kryetari i Sindikatës së PTK-së, Milazim Alshiqi, ka kritikuar institucionet e Kosovës për privatizimin që kanë dashur ta bëjnë me PTK-në.

Sipas tij, procesi nuk ka qenë transparent që nga fillimi. “Kërkojmë të bëhet stopimi i privatizimit të PTK-së edhe për katër vjet, të lejohen investimet e PTK-së, pasi investimet e ndalura e kanë dëmtuar shumë PTK-në”, ka thënë ai. 


Edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, ka theksuar se pas dështimit të procesit të privatizimit Qeveria ka lejuar realizmin e planit të investimeve 2014-t 2019 në bazë të të cilit parashihet ngritja e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët e PTK-së.

Kurse shefi i Bankës Botërore (BB) për Kosovë, Jan-Peter Olters, ka deklaruar se mungesa e transparencës ndikon negativisht në realizimin e projekteve të mëdha.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)