Kërkesa ndërkombëtare për fluturime shënoi rënie prej 91.9 për qind
Gjenevë, 2 shtator - Kërkesa ndërkombëtare për fluturime shënoi rënie të ndjeshme me 91.9 për qind në korrik, nga viti në vit, njoftoi të martën Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).
Kërkesa shënoi një rimëkëmbje të lehtë nga muaji i kaluar kur kërkesa regjistroi rënie vjetore prej 96.8 për qind, tha IATA në një njoftim për media.
"Kapaciteti regjistroi rënie prej 85.2 për qind ndërsa faktori i ngarkesës u zhyt 38.9 pikë përqindje në 46.4 për qind", theksoi më tej.
Rihapja e tregut të aviacionit në Zonën Shengen kontribuoi në kërkesën ndërkombëtare në Evropë, por tregjet e tjera globale shënuan ndryshime të lehta në korrik, kundrejt qershorit, vuri në dukje ajo.
Drejtori ekzekutiv i IATA-s, Alexandre de Juniac tha se: "Kriza e kërkesës vazhdoi me pak pushim në korrik. Meqenëse katër në pesë udhëtarë ajror qëndrojnë në shtëpi, industria mbetet kryesisht e paralizuar".
"Masat e qeverive për rihapje dhe më pas mbyllje të kufijve ose heqja dhe më pas vendosja e karantinave nuk u jep shumë besim konsumatorëve për të bërë plane udhëtimi, as linjave ajrore për të ripërshtatur oraret", shtoi ai.
Gjatë njoftimit për media gjithashtu u bë e ditur se trafiku ajror i brendshëm ishte poashtu në rënie me 57.5 për qind në korrik, pas rënies prej 68 për qind në qershor.
Që nga shfaqja e saj në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 ka infektuar miliona njerëz dhe ka marrë qindra mijëra jetë në të gjithë botën. Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri goditën shumë sektorë, veçanërisht udhëtimet, aviacionin, turizmin dhe prodhimin.