24 Dhjetor 2024

KE-ja vlerëson progresin në aviacion

Prishtinë, 28 tetor - Raporti më i fundit i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën e vlerëson lart progresin në transportin ajror, ndërkohë kërkon veprime për dy veprime shtesë.

Raporti i KE-së thekson se zbatimi i kërkesave të fazës së parë të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA) në legjislacionin kombëtar është i plotë.

Pas Kroacisë, e cila tashmë është bërë pjesë e BE-së, Kosova bëhet vendi i vetëm në rajon që ka arritur këtë status zhvillimi në aviacion karshi marrëveshjes.

Arianit Dobroshi nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rregullim Ekonomik nga Autoriteti i Aviacionit Civil,ka deklaruar për “Epokën e re” se raporti thekson se inspektorët e sigurimit të aviacionit civil të MPB-së kanë marrë pjesë në programet ndërkombëtare të trajnimit dhe kanë marrë certifikim ndërkombëtar.

“Raporti thotë se Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ende nuk është pjesë e programit Vlerësimi i Sigurisë së Avionëve të Huaj (SAFA), megjithatë raporti vëren që Autoriteti i Aviacionit Civil ka miratuar rregulloren mbi inspektimet e avionëve të vendeve të treta (SAFA) dhe merr pjesë në mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, AAC-ja, e përkrahur edhe nga Qeveria e Kosovës, është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të hyrë në aranzhime kontraktuale me Agjencinë e BE-së për Siguri të Aviacionit.

Këto aranzhime kontraktuale do ta bëjnë edhe zyrtarisht AAC-në pjesë të programit panevropian SAFA.

Raporti gjithashtu vëren se Ligji për Agjencinë për Shërbimet e Navigimit nuk është miratuar dhe thekson edhe mungesën e certifikimit të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

“Sipas raportit, sektori i aviacionit i Kosovës vazhdon të vuajë për shkak të kufizimeve të imponuara nga Serbia për mbifluturime që vijnë në dhe nga Prishtina. Kontrolli i hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës është në proces të caktimit Hungarocontrolit.

Raporti përfundon se në përgjithësi përafrimi me kuadrin ligjor të BE-së në fushën e transportit ka vazhduar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se raporti thekson se Kosova ka bërë progres në sektorin e aviacionit.

Dobroshi është shprehur se, sipas raportit, Kosova (duke përfshirë edhe operatorët e transportit të saj) nuk po mund t’u bashkohet shumë prej trupave ndërkombëtare ose evropiane që rregullojnë transportin apo grupimet përkatëse sektoriale.

“Miratimi i ligjit për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror është një prioritet urgjent”, ka deklaruar ai, duke cituar raportin.

“Në përgjithësi, vlerësimi i raportit për sektorin e aviacionit është mjaft pozitiv duke raportuar ‘progres’ për Kosovën në krahasim me ‘pak progres’, ‘ca progres’ dhe ‘progres të limituar’ për vendet fqinje dhe për herë të parë edhe formalisht njeh përmbushjen e obligimeve nga Faza e Marrëveshjes HPEA. Për vendet e tjera të rajonit, raportet përkatëse të progresit theksojnë se ende nuk kanë përfunduar implementimin e fazës së parë të Marrëveshjes HPEA”, ka theksuar Dobroshi për “Epokën e re”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)