KE-ja e gjen KHAIA-n jofunksional
Prishtinë, 15 janar - Më 26-27 janar 2016, një ekip ekspertësh të Komisionit Evropian (KE) do ta bëjnë vlerësimin e zbatimit të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA) në Republikën e Kosovës.
Për këtë qëllim ata do të bisedojnë me zyrtarë të autoriteteve aeronautike të Kosovës (AAC-ja, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike) si dhe me zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për disa dispozita të Ligjit të Punës dhe me ata të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për mbrojtjen e konkurrencës dhe ndihmën shtetërore në Kosovë.
Vlerësime do të ketë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari si dhe në Agjencinë për Shërbime të Navigacionit Ajror.
Kjo vizitë e ekspertëve të KE-së më së keqi do ta gjejë Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. KHAIA është themeluar në vitin 2009 dhe është përgjegjëse për hetimin e sigurisë dhe aksidenteve ajrore në Republikën e Kosovës.
Me Ligjin për Aviacionin Civil ka qenë e paraparë që KHAIA brenda kësaj kohe të funksionalizohet në tërësi dhe ta arrijë nivelin e autoriteteve simotra të shteteve evropiane.
Në fakt, ka ndodhur e kundërta, sepse ky komision, si autoriteti më i lartë shtetëror në fushën e transportit, sot është tërësisht i paorganizuar dhe jofunksional. Në këtë komision punon vetëm një anëtar (inspektori i Incizuesve).
Që nga 19 shkurti 2014 KHAIA-ja është pa anëtarin (inspektorin e Inxhinierisë), i cili ishte edhe kryesues dhe nga shkurti 2015 pa anëtarin tjetër (inspektorin e Operimeve). Konkurset për pranimin e anëtarëve të këtij komisioni janë përsëritur herë pas here, por deri më tani konkurrentët asnjëherë nuk janë ftuar në intervistë.