KDI: Kuvendi nuk duhet të marrë vendime të kundërligjshme
Prishtinë, 24 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagon ndaj tendencave të Qeverisë dhe subjekteve parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, që ta përfshijnë vendimin për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2014.
Duhet konstatuar se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, njëjtë kishin vepruar edhe në vitin 2011 kur kishin miratuar vendimin për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së, dhe këtë vendim e kishte bashkangjitur si aneks në Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2011, përkatësisht në Nenin 4 të këtij Projektligji.
KDI rikujton se Ligji për Ndërmarrjet Publike në Nenin 9, ku flitet për shitjen e aksioneve e thotë qartë se: Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës.
Pas miratimit të këtij vendimi nga Qeveria dhe Kuvendi, Komisioni Qeveritar për Privatizim është i autorizuar të kryejë një tender dhe ti shesë aksionet në fjalë.
Ky vendim asnjë herë nuk është miratuar si i tillë në ndonjë seancë plenare, e nga ana tjetër Qeveria e Kosovës kishte vazhduar me të gjitha procedurat e shitjes deri në përzgjedhjen e blerësve të këtij aseti të rëndësishëm publik.
Ky veprim i Qeverisë ishte bërë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, dhe paraqiste një precedent të rrezikshëm ku Qeveria kishte vendosur ta kushtëzojë me një dokument tjetër të natyrës jetike për qytetarët siç është buxheti, dhe ta kontrabandoj vendimin e saj për PTK-në.
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, po tentojnë që të njëjtën situatë ta përsërisin edhe këtë vit, duke e futur si amendament të veçantë në kuadër të Projektligjit për Buxhetin për vitin 2014, edhe raportin e komisionit ndërqeveritar për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Në fjalinë e fundit të këtij amendamenti të propozuar nga Qeveria shkruan që: me votimin apo aprovimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2014, raporti i komisionit ndërqeveritar për privatizim konsiderohet i miratuar.
KDI ju bën thirrje deputetëve të Kuvendit që me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend, të mos miratojnë vendime që u kontestohet legaliteti dhe legjitimiteti i tyre, si dhe krijojnë precedente për parlamentarizmin.
KDI po ashtu ju bën thirrje institucioneve dhe spektrit politik, që për çështjet që janë në interes vital për vendin, të zhvillohen debate dhe të ndërtohet konsensus i gjerë politikë dhe shoqërorë në marrjen e vendimeve të pakontestueshme dhe në interes të qytetarëve të Kosovës.